Kanë kaluar 9 vite që kur garda e Republikës së Shqipërisë qëlloi mbi popullin e ç’armatosur dhe
vrau Aleks Nikën, Faik Myrtajn, Hekuran Dedën dhe Ziver Veizin; plagosi Erald Bishën, Fatos
Mahmutajn dhe Sokrat Goden dhe sa e sa të tjerë emrat e të cilëve nuk njihen.
Por krimet e 21 Janarit 2011 nuk janë ndëshkuar dhe për shkak të mënyrës si po rrjedhin ngjarjet nuk duket se do
të ndëshkohen ndonjëherë në të vërtetë.
21 Janari ka shumë fajtorë, të cilët me veprime të ndryshme dhe nga pozicione të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre në realizimin dhe mos ndëshkimin e këtij krimi shtetëror.
Të rradhisim disa fakte të cilat nuk pasqyrohen qartë ose anashkalohen!
Vrasësit material, ata të identifikuarit janë deri më tani vetëm dy: Ndrea Prendi i cili në 21 Janar ishte Kreu i Gardës së Republikës i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt dhe gardisti Agim Llupo i
akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës.
Të dy të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në shkallë të parë nga gjyqtarët Ardiana Bera, Arjana
Caco dhe Besnik Hoxha, ky i fundit si Kryesues i trupit gjykues. Në vitin 2013 gjykata e Apelit (gjyqtarët Agim Bendo; Ervin Metalla dhe Evjeni Sinoimeri) mori vendimin qesharak dhe të paligjshëm të dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos me 1 dhe 3 vjet burgim për vrasje nga pakujdesia të Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Një nga gjyqtarët e Apelit, Evjeni Sinoimeri votoi kundër vendimit të vrasjes nga pakujdesia pasi mbështeti tezën e prokurorisë të vrasjes me dashje
(http://www.gazetatema.net/2013/09/24/trupa-gjykuese-ishte-e-ndare-per-21-janarin-sinojmeriishte-pro-kerkeses-se-prokurorise/). Vendimi i paligjshëm i apelit u la në fuqi nga Gjykata e Lartë e përbërë nga gjyqtarët Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi, Aleksandër Muskaj
dhe Guxim Zenelaj.
Mbetën kështu pa autor vrasësit e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës si dhe plagosjet e sa e sa qytetarëve. Ndërsa Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe shumë gardistë të tjerë që qëlluan kundër
popullit të ç’armatosur në 21 Janar 2011 jetojnë të lire, ashtu siç jetojnë të lirë e të pasur urdhëruesit e tyre. Sepse ushtria dhe policia si mjete të shtetit kapitalist janë armë kundër popullit.
Vetingu si opiumi i popullit
Prej katër vitesh dëgjojmë përralla me veting! Kur afrohet 21 Janari edhe më shumë. Disa media sot mbajnë tituj fantastik ku propagandojnë se gjyqtarët e 21 Janarit janë nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë nga Vetingu. (http://www.gazetadita.al/gjyqtaret-e-21-janarit-pasuria-dhe-lidhjame-krimin-i-nxorri-jashte-drejtesise/ ose https://shqiptarja.com/lajm/ja-si-perfunduan-8-
gjyqtaret-qe-shpetuan-vrasesit-e-21-janarit-sot-te-gjithe-jashte-drejtesise-shkak-pasuriadhe-lidhja-me-krimin?r=kh1)
Kjo është një gënjeshtër e sofistikuar për të manipuluar publikun. E vërteta është ndryshe.
E para, janë jashtë sistemit të drejtësisë vetëm gjyqtarët e Apelit dhe ata të Gjykatës së Lartë, të
cilët pavarësisht vendimit qesharak dhe të paligjshëm, njohën të paktën dy vrasës material: Ndrea
Prendin dhe Agim Llupon.
E dyta, asnjë nga gjyqtarët e Apelit apo të Gjykatës së Lartë nuk është shkarkuar për shkak të
shkeljeve në lidhje me gjykimin e 21 Janarit. Disa prej tyre janë shkarkuar për probleme me pasurinë, probleme të cilat vazhdojnë t’i kenë pasi askujt nuk i është sekuestruar pasuria e
pajustifikuar, disa të tjerë kanë dhënë dorëheqjen duke shmangur çdo hetim të thelluar.
E treta dhe më e rënda, është se janë brenda sistemit të drejtësisë, ende të paprekur nga Vettingu dhe në ushtrim të detyrës së tyre të gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë (Ardiana Bera, Arjana
Caco dhe Besnik Hoxha), pikërisht ata të cilët dhanë vendimin e pafajësisë për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Akoma më i rëndë është fakti se kryesuesi i treshes së shkallës së parë është i
ngarkuar sot me gjykimin e çështjes së Izet Haxhisë, një tjetër çështje me interes të lartë publik
(http://www.ekskluzive.al/gjykoi-21-janarin-besnik-hoxha-merr-ne-dore-fatin-e-izet-haxhisedhe-dosjes-hajdari/).
Pasi bie alibia e vetingut, mbeten faktet. Ato flasin për një realitet të pandryshuar nga 21 Janari i vitit 2011 në 21 Janarin e vitit 2020.
Partia Socialiste e vitit 2020 ka zëvendësuar Partinë Demokratike të vitit 2011. Si? Duke monopolizuar korrupsionin, trafiqet, koncesionet, burimet natyrore. Duke marrë masa anti-popullore, kundër klasës punëtore të vendit tonë nga ku kanë prejardhjen edhe viktimat e 21 Janarit.
E zhytur në korrupsion dhe trafiqe, partia socialiste e përdor 21 Janarin çdo vit për të mbajtur pushtetin, siç e përdori pas vitit 2011 për të ardhur në pushtet. E përdor atë në mënyrë të ulët dhe djallëzore duke u thënë shqiptarëve se ndryshe nga Sali Berisha, Edi Rama nuk i ka vrarë njerëzit në bulevard.
Por Rama i ka tradhëtuar disa herë viktimat e 21 janarit, dhe i tradhëton çdo vit familjarët e tyre të cilëve u ushqen lugën bosh të vetingut. Në fillim i tradhëtoi me paktin e 1 Prillit 2013, kur bëri koalicionin me LSI-në. I tradhëtoi akoma më rëndë kur kandidoi si kryebashkiak të Matit, ish
gardistin e 21 Janarit, Agron Malajn. Pavarësisht përgënjeshtrimeve, vendimi i gjykatës së apelit për 21 Janarin, thotë qartë se Agron Malaj ishte pjesë e grupit të zjarrit të efektivëve të Njësisë
Speciale në afërsi të Portës Nr. 1 të Kryeministrisë. Lind pyetja: çfarë borxhi kishte Edi Rama ndaj gardistit të 21 Janarit që ju desh t’ja lante kur erdhi në pushtet?
Kjo dhe shumë pyetje të tjera në lidhje me atë ngjarje, mbeten pa shpjegim edhe nëntë vite më vonë.
Përshembull asnjë nga qarqet e opinionistëve, ‘shoqërisë civile’ apo ‘aktivistëve’ politikë, të cilët
ngrejnë zërin kundër autoritarizmit të qeverisë Rama dhe kërkojnë ‘rotacionin’ e famshëm nuk e shtrojnë pyetjen se kush i urdhëroi gardistët të qëllonin në 21 Janar 2011 dhe sa përgjegjësi ka
Lulzim Basha i cili ishte atëherë Ministër i Brendshëm? Përkundrazi duke e anashkaluar tërësisht këtë përgjegjësi të rëndë funksionale, politike dhe ligjore, shumë prej tyre përkrahin inicativat e
Lulzim Bashës, apo ankohen për mungesën e ‘forcës’ së tij. Këta janë mbrojtësit e sotshëm të
‘demokracisë’, ‘shtetit ligjor’ ‘ndryshimit sistemor’ etj. E vërteta është se të gjithë këta nuk kanë aspak synim të ndërrojnë sistemin. Synimi i tyre është të zëvendësojnë pushtetin e Edi Ramës me pushtetin e tyre. E pasi kjo të ndodhë, cikli do të rifillojë me korrupsion, trafiqe, masa anti
popullore, anti punëtore.
Nuk do të ketë drejtësi për Aleks Nikën, Faik Myrtajn, Hekuran Dedën dhe Ziver Veizin dhe nuk do të ketë ndryshim rrënjësor të sistemit derisa të mos ketë një parti të fortë komuniste, e cila të përfaqësojë sërisht klasën punëtore dhe masat e shtypura popullore në Shqipëri.
Shteti kapitalist të vret pa gjyq pa ju dridhur qërpiku për të ruajtur sadopak atë “ligjshmëri borgjeze” që e propagandojnë pa pushim sepse populli nuk ishte dhe nuk është i organizuar me orientim klasor në një Parti të fortë Komuniste ne pararojë që nuk bën kompromise dhe pazare me interesat e popullit.
-Zëri Komunist i Shqipërisë

Vetem me Partin Komuniste bashkimin popullore do ket shtet drejtes .ndryshe do vuajne brez pas brezi . Dhe do shuajn historin pak pak do behen skllever e vogla borgjezis. Te pergezoj Zerikomunist.
LikeLike