Vazhdojnë pa ndalim protestat e popullit kundër dhunës policore dhe racizmit
Demonstrata të shumta dhe masive kundër dhunës policore dhe racizmit në SHBA u zhvilluan në 25/07/2020 në disa qytete, pasi reagimet që filluan me vrasjen e J. Floyd vazhdojnë pa ndalim, pavarësisht nga përpjekjet e autoriteteve amerikane për t’i shtypur ato me të gjitha mënyrat dhe format e dhunës. Pavarësisht nga fushata elektorale që kryhet këto kohë në SHBA, me sa duket gjatë gjithë kësaj periudhe, protestuesit, jo vetëm që nuk i kanë varur shpresat tek kutitë e votimit, por, kanë marrë pjesë masive protesta.
Mijëra njerëz demonstruan dje në Siatëll (Seattle) në protestë-marshimin më të madh të kryer që prej disa javësh, si dhe pati mitingje masive edhe në Portland. Policia përdori bomba zhurmuese dhe lëndë lotsjellëse për të shpërndarë protestuesit, ndërsa gazeta Seattle Time flet për 16 persona të shoqëruar në polici.
Në Portland të Oregonit, protestat arritën përpara Gjykatës Federale ku disa protestues u përpoqën të krijonin edhe barrikada në rrugë. Forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe shpërndanë turmën.
Një i vdekur në protestat e Teksasit
Në qendër të qytetit Austin, në Texas, autoritetet njoftuan se një njeri u vra të shtunën dhe pati disa të shtëna ndërsa kryheshin protestat. Policia e Austinit dhe shërbimi i ndërhyrjes urgjente të këtij qyteti konfirmuan përmes Twitter-it se një burrë është vrarë, por pa dhënë detaje të tjera!
Ndërkohë, në qytetin Lusivill (Louisville) në periferinë e Kentakit (Kentucky), një grup protestuesish afrikano-amerikan të armatosur rëndë marshuan për të kërkuar drejtësi për vajzën e re Briona Tejlor (Taylor), e cila ishte e zezë dhe u qëllua për vdekje nga policia në muajin mars gjatë një sulmi të pa paralajmëruar në banesën e saj!
Qeveria amerikane, në përpjekje për të intensifikuar sulmet ndaj protestuesve, njoftoi të enjten se do ta zgjerojë edhe më tej vendosjen e agjentëve federalë edhe në qytetin Siatëll, duke shkaktuar kështu indinjatë të madhe tek protestuesit.
Mediat e vendit tonë, të “pavarura”, të “majta” e të djathta, si dhe fondacionet e mirëpaguara të BE-së që aktivizohen në vendin tonë “si të pavarura”, ndërsa transmetojnë pa ndalim materiale antikomuniste, nacionaliste, irredentiste, madje dhe filo-fashiste me petk “të majtë”, njëkohësisht fshehin nga sytë e popullit tonë dhe të rinisë luftën që kryen populli amerikan këto muaj, edhe pse vetë mediat amerikane transmetojnë pa ndalim protestat masive të popullit në SHBA!
A janë mediat tona më pro amerikane se vetë amerikanët? Apo nuk duan të kafshojnë dorën që i ushqen?
Konkluzionet mbeten për lexuesit…
Burime: AFP, Reuters, Times, Associad Press dhe Agjenci Ndërkombëtare Lajmesh.
-Zëri Komunist i Shqipërisë
27/07/2020
