PYETËSOR PËR PUNËTORËT

Nga KARL MARKS

“Pyetësori për punëtorët” që do të lexoni më poshtë, i mundësuar në hapësirën e internetit nga Blogu ynë, Zëri Komunist i Shqipërisë,  u shkrua nga Marksi gjatë gjysmës së parë të muajit prill 1880, pas kërkesës së bërë nga botuesi i revistës franceze «La Revue Socialiste», Benua Malon (Benoît Malon).

Qëllimi i hartimit të këtij “Pyetësori” ishte i dyfishtë. Nga njëra anë, ishte një përpjekje e rëndësishme -dhe historikisht e para- për të mbledhur të dhëna gjithëpërfshirëse mbi kushtet e jetesës dhe të punës së klasës punëtore franceze, të dhëna të cilat do të përdoreshin në luftën ekonomike, ideologjike dhe politike kundër shfrytëzimit kapitalist. Dhe nga ana tjetër, ai aspironte të kontribuonte në ndërgjegjësimin e përgjithshëm të vetë punëtorëve për statusin e tyre shoqëror. Kështu që ky “pyetësor” nuk është vetëm një mjet për të nxjerrë informacione nga punëtorët, por edhe një mjet për të ndikuar në vetë ndërgjegjen e tyre, diçka që, në fund të fundit, pasqyrohet dhe në mënyrën e formulimit të disa pyetjeve, si p.sh: “A i kompenson sipërmarrësi me ndonjë mënyrë ata që pësojnë aksidente gjatë punës, të cilët i kontribuojnë pronarit në pasurinë e tij?” ose “për sa kohë e kreditoni pronarin tuaj para se të paguheni për punën që keni bërë?”

Interesi i themeluesve të teorisë komuniste për “diagnozën” objektive të kushteve aktuale të jetesës dhe punës së klasës punëtore -nga e cila rrjedhin elemente të tilla si shtresëzimi i saj i brendshëm, shkalla e vetëdijes që ka klasa punëtore etj. ishte i përhershëm dhe i vazhdueshëm. Vetë K. Marksi kishte propozuar që nga vitet 1860 idenë e përshkrimit statistik të gjendjes së klasës punëtore, përmes grumbullimit të të dhënave nga vetë punëtorët. Madje, kjo ide më pas u shndërrua dhe në Vendim nga Internacionalja e Parë, pra për të kryer një studim të tillë, diçka që nuk pati sukses, për shkak të mjeteve të pamjaftueshme financiare. Në të njëjtën kohë, te «Kapitali» (veçanërisht në Vëllimin I), është përfshirë një material shumë empirik, i cili dëshmon se me sa saktësi dhe kujdes i vëzhgonte Marksi këto çështje. Engelsi nga ana tij, botoi në vitin 1844, në moshën 24 vjeçare, veprën e tij «Gjendja e klasës punëtore në Angli», në të cilën përshkroi kushtet e jetesës dhe të punës së klasës punëtore gjatë «fazës rinore të shfrytëzimit kapitalist», siç e karakterizoi atë kohë në Angli dhe vetë Engelsi në Parathënien e ribotimit të librit, shumë vite më vonë, në 1892.

Vlen të përmendet se, në ato vite që jetuan dhe vepruan Marksi dhe Engelsi, nuk ekzistonte asnjë shërbim statistikor si në ditët tona dhe si rrjedhojë mbledhja e të dhënave statistikore në çdo fushë të jetës shoqërore përbënte diçka jashtëzakonisht të vështirë dhe mjaft të kushtueshme. Kjo është arsyeja përse, si  «Pyetësori i Punëtorëve» prej Marksit, ashtu dhe «Gjendja e klasës punëtore në Angli» e Engelsit konsiderohen -madje edhe sot nga përfaqësuesit e shkencave shoqërore borgjeze në universitete të Tiranës e të botës – si pioniere në fushën e kërkimit shoqëror empirik. Pavarësisht nga vështirësitë në epokën e tyre, prapëseprapë, Marksi dhe Engelsi nuk i kursyen aspak përpjekjet e tyre, pasi si komunistë, e dinin shumë mirë se njohja objektive dhe e saktë e kushteve të jetesës dhe punës së klasës punëtore përbëjnë “lëndën e parë” dhe të domosdoshme për të kuptuar si nga ana teorike sistemin e shfrytëzimit kapitalist, ashtu dhe për të përshtatur aktivitetin politik me synim përmbysjen e tij.

Nevoja për një kuptim në kohë reale të çdo ndryshimi që ndodhte në kushtet e punës dhe të jetesës së klasës punëtore, por edhe mënyrën që vetë punëtorët i kuptonin këto ndryshime, duhet të jenë një objektiv i vazhdueshëm për pararojën revolucionare të klasës punëtore, për vetë Partinë Revolucionare Komuniste, për çdo komunist. Madje, konsiderojmë se kjo nevojë po rritet në ditët e sotme, për shkak të ndryshimeve të shpejta dhe të rëndësishme që ndodhin në procesin e prodhimit, si dhe për shkak të ndikimit të këtyre ndryshimeve në mënyrën e “kuptimit” të tyre nga ana e punonjësve. Për shembull, ekziston rreziku që fenomene të tilla si ulja e përqindjes së punëtorëve në prodhim dhe rritja përkatëse e punonjësve në të ashtuquajturat shërbime, ngritja e nivelit arsimor të klasës punëtore, zgjerimi i shtresëzimit të saj të brendshëm, etj., mundet të çojnë një pjesë të gjerë të punonjësve modernë -duke qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ideologjisë borgjeze- në ide të gabuara dhe iluzione për zvogëlimin e masës dhe të rëndësisë shoqërore që ka klasa punëtore.

Blogu ynë, Zëri Komunist i Shqipërisë edhe me studimin e këtij Pyetësori, ka dalë në konkluzionin se aktualisht, ekzistenca e një partie revolucionare komuniste apo punëtore me rrënjë të thella në klasën punëtore, me sindikata dhe forume shoqërore në atdheun tonë, sigurisht që përbën një parakusht të domosdoshëm për të reaguar. Por, në të njëjtën kohë, duhet kuptuar se aftësia e një partie komuniste për të përshtatur ndërhyrjen e saj në të dhënat e reja që janë formuar, është një parakusht i domosdoshëm për ruajtjen dhe forcimin e aftësive të Komunistëve, të vetë Partisë Komuniste (kur ajo ekziston), për të ndikuar në klasën punëtore dhe veçanërisht në pjesët e saj më progresiste. Pra, pa patur ose pa marrë pjesë në sindikata dhe forume shoqërore nga ku mundësohet të grumbullosh të dhëna, të ndërhysh në mënyrë efikase në favor të punëtorëve, shkurtimisht, pa përdorur metoda marksiste – leniniste në studim e veprim, je i “dënuar” nga vetë historia në zhdukje politike dhe shoqërore, në “plakje” ideologjike, je i “dënuar” të kalosh me anën e klasës borgjeze, pavarësisht nëse kjo bëhet me vetëdije ose pa. Pra, pa studime bashkëkohore të terrenit nuk ka ecje përpara, nuk ka progres dhe këtë e tregon edhe historia e lëvizjes komuniste dhe punëtore e vendit tonë, pas përmbysjes së socializmit ku “varrezat politike ” janë plot me parti “revolucionare”, pasi sistemi kapitalist ka krijuar imunitet nga “analizat e diagnozat” e viteve ’45 dhe ‘80 që kishin bërë PK-të e asaj kohe, sado revolucionare që të ishin ato. Sigurisht, synimi i revolucionit proletar mbetet i njëjtë, por vetë metoda Marksiste na mëson se kushtet shoqërore, mënyrat e shfrytëzimit, mjetet e prodhimit ndryshojnë shpesh dhe përshtatja e politikës së ndërhyrjes së komunistëve, duhet të kihen parasysh këto parametra vendimtare, përndryshe…zhdukesh si dinozaurët.               

Sigurisht që gjatë kohës së studiuari mbi jetën dhe punën e klasës punëtore moderne na duhet të përdorim gjithashtu edhe burime përkatëse statistikore borgjeze, por, duke patur parasysh gjithnjë se nuk ezistojnë statistika klasore asnjanëse shoqërore. Sidomos kur bëhet fjalë për shërbimet statistikore shtetërore, ku përdorimi i tyre më i thellë duhet “korrigjuar” mbi bazën e ideologjisë marksiste, diçka që shumë herë përmban vështirësi të mëdha, sidomos në interpretime të gabuara. Por, sidoqoftë, ashtu si revolucionarët Marks dhe Engels, të cilët në kohën e tyre iu kundërvunë vështirësive të mëdha të mungesës – pothuajse të plotë – të çdo materiali empirik të përqendruar, ashtu edhe sot komunistët, partitë bashkëkohore revolucionare të punëtorëve, duhet të japin betejën e tyre kundër vështirësive në epokën tonë. Pra, diçka e tillë është e domosdoshme dhe jetike për çdo komunist, për çdo parti komuniste, punëtore dhe revolucionare dhe aspak për partitë borgjeze, për partitë që konkurrojnë në fusha nacionaliste, të rrugës parlamentare e me koncepte shoviniste, pasi, thënë më qartë, këto të dhëna dhe këto Pyetësorë si të Marksit, nuk u hynë në punë.      

Para se të kalojmë në prezantimin e «Pyetësorit për punëtorët» nga K. Marksi, vlen të përmendim disa fakte të pamohueshme historike në lidhje me të, pasi shtrembërimet dhe gënjeshtrat e oportunistëve modernë në Evropë e Tiranë, nën maskën e “marksistëve modernë”, të cilët ushqehen me fondet antikomuniste të ΒΕ-së, paraqesin statistika dhe studime borgjeze si “të vërteta asnjanëse klasore”! Gjithmonë në kërkimet dhe në hulumtimet e tyre, të financuara nga Fondacione antikomuniste, çdo herë “rrumbullakosen dhe interpretohen” në bazë të të ashtuquajturit tranzicion drejt ekonomisë së lirë kapitaliste dhe në aspiratat nacionaliste të klasës borgjeze të vendit tonë. Kautskianëve modernë u themi se ky «Pyetësor» i Marksit u botua i pa nënshkruar prej tij, nën titullin «Enquête Ouvrière» në numrin e 20 Prillit 1880 te «La Revue socialiste», por edhe si botim i pavarur (në 25.000 kopje) të shpërndarë në të gjithë Francën e asaj kohe. Fakti që autori i “Pyetësorit” në fjalë është vetë Karl Marksi tregohet nga referenca përkatëse e Marksit në letrën e tij drejtuar Friedrich Adolph Sorge më 5 nëntor 1880, në të cilën ai, ndër të tjerash, thekson: «Kam shkruar për të [për Malon-in] një «questionneur» (pyetësor) i cili u botua së pari në “Revue Socialiste” dhe më pas u shpërnda në një numër të madh në të gjithë Francën».

Edhe pse kanë kaluar shekuj, ky Pyetësor për punëtoret kur lexohet sot (me fare pak përjashtime), me lehtësinë më të madhe mundet të plotësohet nga vetë punëtorët modernë industrial, pasi thelbi i shfrytëzimit kapitalist, marrëdhëniet e punës, mbeten po të njëjta, pavarësisht zhvillimit shpërthyes të teknologjisë në mjetet prodhimit, pavarësisht se kanë kaluar qindra vjet. Madje, lexuesit këtë do ta kuptojnë nga vetë pyetjet që Marksi drejton ndaj punëtorëve.            

Pyetësori u botua në “Revue Socialiste” me Hyrjen e mëposhtme:

«Asnjë qeveri (qoftë monarkike, qoftë borgjezo-republikane) nuk ka guxuar të kryejë një hulumtim serioz mbi situatën e klasës punëtore franceze. Përkundrazi, shumë kërkime ka mbi krizat bujqësore, ekonomike, industriale, tregtare dhe politike!

Vicioziteti i shfrytëzimit kapitalist, i zbuluar nga kërkimet zyrtare të qeverisë angleze, pasojat ligjore të këtyre zbulimeve (kufizimi i ditës së ligjëruar të punës në dhjetë orë, ligje për gratë dhe punën e fëmijëve, etj.) kanë rritur frikën e klasës borgjeze franceze përpara rreziqeve që do të krijonte një hetim i paanshëm dhe sistematik i çështjes.

Me shpresën për të motivuar qeverinë Republikane që të ndjekë shembullin e qeverisë monarkike të Anglisë dhe të nisë një hetim të gjerë për aktet dhe krimet e shfrytëzimit kapitalist, duam të fillojmë ne një hetim të tillë, me burimet e kufizuara që kemi në dispozicion. Në këtë përpjekje, ne shpresojmë të gjejmë mbështetjen e të gjithë punëtorëve në qytet dhe fshat, të cilët e kuptojnë se vetëm ata vetë -plotësisht të vetëdijshëm për këtë temë- mund të përshkruajnë vuajtjet që po kalojnë; se vetëm ata, dhe jo shpëtimtarët e dërguar nga forumet e mirëqenies, munden me veprimtarinë e tyre aktive të luftojnë mjerimin shoqëror nga i cili vuajnë. Ne gjithashtu mbështetemi te socialistët e të gjitha shkollave të cilët, që nga momenti që ndjekin një reformë sociale, duhet gjithashtu të dëshirojnë një njohuri të saktë dhe të besueshme të kushteve nën të cilat punon dhe fillon të lëvizë klasa, së cilës i përket e ardhmja.

Këto fletore të punës përbëjnë hapin e parë që duhet të ndërmarrë socialdemokracia për të përgatitur rinovimin e shoqërisë.

Njëqind pyetjet që vijojnë janë të një rëndësie të madhe. Përgjigjet duhet të përfshijnë numrin e secilës pyetje. Nuk është e nevojshme t’i përgjigjeni të gjitha pyetjeve, por rekomandojmë që përgjigjet të jenë sa më të zhvilluara dhe të hollësishme. Emri i punëtorit ose punëtores që i përgjigjet pyetësorit nuk do të publikohet, nëse nuk jepet pëlqimi i tyre i qartë, megjithatë, emrat dhe adresat e të anketuarve duhet të shënohen në mënyrë që të mund t’i kontaktojmë ata nëse është e nevojshme.

Përgjigjet duhet t’i dërgohen në adresën  e “Revue socialiste”, Z. Lécluse, 28 rue Royale, Saint-Cloud, Paris.

Përgjigjet do të klasifikohen dhe do të formojnë bazën për monografi të veçanta, të cilat do të botohen nga “Revue socialiste” dhe më vonë do të botohen në një vëllim».

Për sa i përket vazhdimësisë që pati ky projekt, përgjigjet fatkeqësisht nuk ishin të shumta dhe si pasojë nuk u mblodhën materiale të mjaftueshme për përpunime të mëtejshme. “Pyetësori” u harrua për një kohë të gjatë, derisa u botua në vitin 1926 si një pamflet nga Partia Komuniste e Britanisë së Madhe, ndërsa qarkulloi gjithashtu në gjermanisht në vitin 1933 në «Organin e Komitetit Ekzekutiv të Internacionales Komuniste».

Së fundmi, theksojmë se, pyetjet e shkruara fillimisht nga Marksi ishin 99 dhe ishin shkruar në anglisht me disa fjalë në frëngjisht. Gjatë përkthimit dhe botimit të tyre në frëngjisht, revista shtoi dhe dy pyetje të tjera (duke rritur totalin e tyre në 101) dhe bëri disa shtesa të tjera të vogla në pyetjet e Marksit. Të gjitha shtesat e revistës në tekstin e Marksit janë artikuluar në kllapa.

Ι

1. Në cilën fushë profesionale punoni?

2. Ndërmarrja në të cilën punoni është në pronësi të kapitalistëve privatë apo është një kompani aksionare? Jepni emrin e sipërmarrësit privat ose drejtorit të shoqërisë aksionare.

3. Jepni numrin e të punësuarve.

4. Jepni gjininë dhe moshën e tyre.

5. Cila është mosha e më e vogël e fëmijëve –djem dhe vajza- që janë marrë në punë?

6. Jepni numrin e mbikëqyrësve dhe punonjësve të tjerë që nuk janë punonjës të zakonshëm.

7. A ka të punësuar praktikantë? Sa janë?

8. Përveç punëtorëve që janë të punësuar shpesh dhe rregullisht, a ka punëtorë që rekrutohen nga jashtë gjatë periudhave të caktuara?

9. Biznesi i punëdhënësit tuaj prodhon ekskluzivisht ose kryesisht për klientët lokalë, për të gjithë tregun e brendshëm, apo për eksporte në vendet e tjera?

10. Vendi i punës gjendet në fshat apo në qytet? [Emërto vendndodhjen].

11. Nëse profesioni juaj praktikohet në fshat: A është ky burimi kryesor i mirëmbajtjes apo e praktikoni atë si shtesë apo paralelisht me bujqësinë?

12. Puna juaj tërësisht ose kryesisht, është punë manuale, apo punë me makineri?

13. Përmendni ndarjen e punës në profesionin në të cilin punoni.

14. A përdoret avulli si forcë lëvizëse?

15. Tregoni numrin e vendeve të punës të kërkuara për nën-aktivitetet e ndryshme të profesionit tuaj dhe përshkruani atë pjesë të procesit të punës në të cilën jeni ju të angazhuar, jo vetëm nga pikëpamja teknike, por edhe nga këndvështrimi i lodhjes muskulore dhe nervore që përfshin puna dhe efektet e saj të përgjithshme në shëndetin e punëtorit.

16. Përshkruani kushtet e higjienës në vendin e punës, dhe më saktësisht madhësinë (e hapësirës që i përket secilit punëtor), ajrosjen, temperaturën, zbardhjen e mureve, tualetet, pastërtinë e përgjithshme, zhurmën e makinerive, pluhurin, lagështinë etj.

17. A mbikëqyren kushtet e higjienës në vendin e punës nga qeveria ose shërbimet lokale?

18. A ka faktorë veçanërisht të dëmshëm në profesionin tuaj që u shkaktojnë sëmundje specifike punëtorëve?

19. A është vendi i punës i mbipopulluar me makineri?

20. A janë të pajisur motorët, transmisionet dhe makinat e funksionimit me mekanizma adekuat të mbrojtjes nga aksidentet?

21. Raportoni nga përvoja juaj aksidente që kanë shkaktuar lëndime ose vdekje të punëtorëve.

22. Nëse punoni në një minierë, renditni masat mbrojtëse që punëdhënësi juaj ka marrë për të siguruar ventilimin dhe për të shmangur shpërthimet dhe aksidente të tjera të rrezikshme.

23. Nëse punoni në industrinë e metaleve, në industrinë kimike, në hekurudha ose industri të tjera veçanërisht të rrezikshme, tregoni nëse po merren masa mbrojtëse nga punëdhënësi juaj.

24. Cilat pajisje, ndriçimi, gazi, nafta, etj. – përdoren në vendin tuaj të punës?

25. Në rast zjarri, a ka mjete të posaçme për të shpëtuar brenda dhe jashtë ndërtesave të punës?

26. Në rast aksidenti, a është i detyruar me ligj sipërmarrësi të dëmshpërblejë viktimën ose familjen e tij?

27. Nëse jo, a i dëmshpërblen sipërmarrësi me ndonjë mënyrë ata që pësojnë aksidente gjatë punës, të cilët kontribuojnë në pasurimin e tij?

28. A ka vëzhgim mjekësor në vendin tuaj të punës?

29. Nëse punoni nga shtëpia, përshkruani gjendjen e dhomës së punës tuaj. A përdorni ndonjë vegël apo edhe makineri të vogla? A e përdorni punën e gruas, fëmijëve ose ndihmësve të tjerë (maturantë ose fëmijë, burra ose gra)? Punoni për klientë privatë apo për një sipërmarrës? Negocioni drejtpërdrejt me sipërmarrësin apo përmes ndërmjetësve?

II

1. Jepni numrin e zakonshëm të orëve të punës në ditë dhe numrin e zakonshëm të ditëve të punës në javë.

2. Jepni numrin e ditëve festive gjatë vitit.

3. Çfarë kohë pushimesh ka gjatë ditës së punës?

4. A ka kohë-pushime të rregullta për vaktet, apo ato bëhen në mënyrë të parregullt? [Ushqeheni brenda apo jashtë vendit të punës?]

5. A vazhdon puna gjatë vaktit?

6. Nëse jeni duke përdorur avull, tregoni kohën e saktë kur fillon dhe kohën e saktë kur ndalet.

7. A ka punë natën?

8. Jepni numrin e orëve të punës së fëmijëve dhe të rinjve nën 16 vjeç.

9. A ndërrohen fëmijët dhe të rinjtë me turne gjatë ditës së punës?

10. A siguron qeveria që ligji i punës së fëmijëve të zbatohet -në masën që ekzistojnë- dhe që respektohen në mënyrë rigoroze nga sipërmarrësit?

11. A ka shkolla për fëmijët dhe të rinjtë që punojnë në profesionin tuaj? Nëse po, në cilët orë të ditës zhvillohen mësimet? [Kush i bën ato?] Cili është programi i tyre?

12. Nëse puna vazhdon ditë e natë, cili sistem ndërrimi – këmbimi, nga një grup i punëtorëve në tjetrin, ndiqet?

13. Deri në çfarë mase shtyhet dita normale e punës në kohë kur ka shumë punë?

14. Pastrimi i makinerive bëhet nga një grup punëtorësh të punësuar posaçërisht për këtë qëllim apo nga punëtorët që punojnë në makineri, pa shpërblim shtesë, gjatë ditës së tyre të zakonshme të punës?

15. Cilat janë rregulloret dhe ndëshkimet për shkeljen e paraqitjes në kohë të punëtorëve në punë në fillim të ditës së punës apo pas ngrënies?

16. Sa kohë humbisni çdo ditë për të shkuar nga shtëpia në vendin e punës dhe nga puna në shtëpi?

III

1. Çfarë lloj marrëdhënie pune keni me sipërmarrësin tuaj? Jeni i punësuar për punë ditore, javore apo vjetore, etj?

2. Cilat janë kushtet që parashikohen për shkarkimin ose dorëheqjen tuaj?

3. Nëse kontrata prishet me përgjegjësinë e punëdhënësit, çfarë dënimesh parashikohen për të?

4. Në rast se shkelet me përgjegjësinë e punonjësit, çfarë dënimesh parashikohen për të?

5. Nëse janë të punësuar praktikantët, tregoni kushtet e kontratës së tyre.

6. Qëndrimi juaj në punë është i vazhdueshëm apo jo?

7. A ushtrohet profesioni juaj kryesisht në periudha specifike apo puna shpërndahet, në periudha të rregullta, pak a shumë pa probleme, gjatë gjithë vitit? Nëse puna juaj kryhet në kohë të caktuara, si jetoni në periudhën pa punë?

8. Paguheni me kohë apo me copë?

9. Nëse paguheni me kohë, llogaritja bazohet në kohë apo në tërë ditën e punës?

10. Paguheni më shumë -dhe sa- në rast të punës jashtë orarit?

11. Nëse paguheni me copë, tregoni saktësisht se si përcaktohet paga. Nëse punoni në industri ku masa e punës matet me sasinë ose peshën e produktit (të tilla si p.sh në minierat e qymyrit), raportoni nëse pronari dhe shërbëtorët e tij përdorin mashtrime për të marrë pjesë nga fitimet tuaja.

12. Nëse paguheni me copë, a përdoret cilësia e produktit si pretekst për uljen mashtruese të pagës?

13. Pavarësisht nëse paguheni me kohë pune apo me copë, pas sa kohësh paguheni? Me fjalë të tjera, për sa kohë e kreditoni pronarin tuaj para se të merrni pagesën për punën që keni bërë? A paguhet paga pas një jave, një muaji, etj.?

14. A jeni të detyruar nga pagesa të tilla të vonuara të drejtoheni shpesh në borxhe, me pasojë të paguani norma të larta interesi dhe, përveç kësaj, duke ju privuar sende që ju nevojiten, apo jeni të detyruar të ngarkoni dyqanxhinjve duke u dhënë atyre -përmes këtij borxhi- mundësinë që t’ju shfrytëzojnë? [A njihni raste të mospagimit të punëtorëve për shkak të falimentimit të biznesmenëve?]

15. Pagesat bëhen nga vetë “padroni” apo përmes ndonjë ndërmjetësi, kontraktori, etj.?

16. Nëse pagesat bëhen përmes një kontraktori ose ndërmjetësve të tjerë, tregoni kushtet e kontratës.

17. Tregoni shumën e pagës tuaj ditore ose javore të rrogës suaj.

18. Renditni pagat e grave dhe fëmijëve me të cilët punoni në të njëjtin laborator për të njëjtën kohë pune.

19. Përmendni pagën më të ulët dhe më të lartë ditore të muajit të kaluar.  

20. Shënoni pagën më të ulët dhe më të lartë me copë muajin e kaluar.

21. Jepni të ardhurat tuaja aktuale muajin e kaluar dhe, nëse keni familje, tregoni pagën e gruas dhe fëmijëve tuaj.

22. Pagat jepen plotësisht me para apo pjesërisht me ndonjë mënyrë tjetër?

23. Nëse merrni me qira një shtëpi nga punëdhënësi juaj, tregoni me çfarë kushtesh. A ju heq nga paga qiranë e shtëpisë?

24. Shënoni çmimin e produkteve të nevojshme, siç janë:

a) Qiraja për akomodimin tuaj dhe kushtet në të cilat e merrni me qira; numrin e dhomave dhe numrin e njerëzve që jetojnë në të, riparimet dhe sigurinë, blerjen dhe riparimn e mobiljeve, zonën e gjumit, ngrohjen, dritën, ujin, etj.

b) Ushqimi: Bukë, mish, perime (patate, etj.); produkte qumështi, vezë, peshk, gjalpë, vaj, sallo, sheqer, kripë, erëza, kafe, çaj, luleradhiqe, birrë, musht, verë, duhan etj.

c) Veshje (për prindërit dhe fëmijët), larja e rrobave, pajisjet sanitare, sendet e banjës, sapuni, etj.

ç) Shpenzime të ndryshme, të tilla si posta, borxhe, shpenzime për ruajtje në dyqan të pengjeve për sendet, shpenzime për shkollën e fëmijëve, për të mësuar një profesion, për blerjen e gazetave, librave, etj. Kontributet në shoqatat e ndihmës reciproke, në arka të grevave, shoqata, sindikata, etj.

d) Shpenzimet, nëse ka, në lidhje me ushtrimin e profesionit tuaj.

dh) Taksat.

25. Mundohuni të shkruani të ardhurat javore dhe vjetore (dhe ato të familjes suaj, nëse keni) si dhe shpenzimet tuaja javore dhe vjetore në formën e një buxheti.

26. A keni vërejtur, nga përvoja juaj personale, një rritje të çmimeve për gjërat e domosdoshme (të tilla si qiraja, çmimet e ushqimeve, etj.), më të madhe se rritja e pagave?

27. Përmendni luhatjet e pagës tuaj, për aq sa ju kujtohet.

28. Përmendni shkurtimet e pagave gjatë kohës së stanjacionit apo krizës.

29. Përmendni rritjen e pagave në të ashtuquajturat periudha të mirëqenies.

30. Përmendni pushimet e punës të shkaktuara nga ndryshimi i modës dhe nga disa kriza të përgjithshme. [Referojuni pushimit tuaj të mundshëm të detyruar].

31. Përmendni ndryshimet në çmimin e produkteve që prodhoni ose çmimin e shërbimeve që ju ofroni, duke i krahasuar ato me ndryshimet ose jo të pagës suaj në të njëjtën periudhë.

32. Përmendni rastet tuaja të njohura të përjashtimit nga puna të punëtorëve për shkak të futjes së makinerive ose modernizimeve të tjera.

33. Me evolucionin e makinerive dhe rritjen e produktivitetit të punës, u rrit apo u zvogëlua intensiteti dhe kohëzgjatja e punës tuaj?

34. A dini raste të rritjes së pagave si rezultat i rritjes së prodhimit?

35. A jeni në dijeni të rasteve të punëtorëve të zakonshëm të cilët, në moshën 50 vjeç, ishin në gjendje të dilnin nga puna dhe të jetonin me paratë që kishin fituar kur ishin të punësuar?

36. Sa vjet mund të punojë në profesionin tuaj një punëtor që ka një shëndet mesatar?

IV

1. A ka sindikata në industrinë tuaj dhe si drejtohen ato? [Dërgoni statutin dhe rregulloret e tyre].

2. Sa greva janë zhvilluar në industrinë tuaj sipas përvojës tuaj?

3. Sa zgjatën këto greva?

4. Ishin greva të pjesshme apo të përgjithshme?

5. Kishin për qëllim rritjen e pagave apo parandalimin e shkurtimeve të pagave? A kishin lidhje me kohëzgjatjen e ditës së punës? Kishin shkaqe të tjera?

6. Cilat ishin rezultatet e tyre?

7. [Përshkruaj veprimin e anëtarëve të paneleve të arbitrazhit].

8. A i mbështesin punëtorët në industrinë tuaj grevat e punëtorëve në industri të tjera?

9. Përmendni rregullat dhe ndëshkimet për shkeljen e tyre të vendosura nga pronari juaj për pushtet mbi punëtorët e tij të punësuar.

10. A ka sindikata pronarësh me qëllim që të imponojnë shkurtime të pagave për punëtorët, për zgjatjen e ditës së punës, duke mbytur greva dhe duke u imponuar në përgjithësi vullnetin e tyre punëtorëve?

11. A jeni në dijeni nga përvoja juaj të rasteve të përdorimit të forcave të armatosura nga qeveria për të mirën e pronarëve kundër punëtorëve me rrogë?

12. A jeni në dijeni nga përvoja juaj të ndërhyrjeve qeveritare për të mbrojtur punëtorët nga abuzimi dhe shoqatat e paligjshme të padronëve?

13. E imponon qeveria zbatimin e ligjeve për fabrikat, për aq sa ato ekzistojnë, kundër interesave të pronarëve? A po i përmbushin detyrat e tyre inspektorët e punës?

14. Ekzistojnë në ndërmarrjen ose industrinë tuaj Lidhje për ndihmë reciproke në rast aksidentesh, sëmundjesh, vdekjesh, të paaftësisë së përkohshme për punë, pleqërisë, etj.? [Dërgoni statutin dhe rregulloret e tyre].

15. Anëtarësimi në këto shoqata bëhet vullnetarisht apo i detyrueshëm? A ka arka/fonde që janë ekskluzivisht nën kontrollin e punëtorëve?

16. Nëse kontributet në fonde/arka të tilla janë të detyrueshme dhe nën kontrollin e pronarit, atëherë ai i thjeshton/heq këto kontribute nga pagat? A paguan interes/përqindje për to? A u kthehen këto kontribute punëtorëve që pushohen nga puna ose largohen vetë? [A jeni në dijeni të ndonjë rasti ku punëtorët kanë marrë ndihmë nga këto fonde, të cilat kontrollohen nga pronarët e fabrikave dhe formojnë kapitalin e tyre bazë nga kontributet e zbritura nga pagat e punëtorëve?].

17. A ka ndonjë kooperativë punëtore në industrinë tuaj? Si menaxhohen ato? Edhe këto i punësojnë punëtorët e jashtëm me të njëjtën mënyrë si kapitalistët? [Dërgoni statutet dhe rregulloret e tyre].

18. A ka kompani në industrinë tuaj, në të cilën shpërblimi u paguhet punëtorëve pjesërisht në formën e pagës dhe pjesërisht në formën e të ashtuquajturës pjesëmarrje në fitimet e pronarit? Krahasoni të ardhurat totale të këtyre punëtorëve me të ardhurat përkatëse të punëtorëve, për të cilët nuk ekziston i ashtuquajturi status partneriteti. Përmendni detyrimet e punëtorëve në një skemë të tillë. Tregoni nëse ata lejohen të marrin pjesë në greva, etj., ose nëse lejohen të jenë vetëm “vartës” të bindur të pronarit të tyre.

19. Cili është niveli i përgjithshëm i gjendjes fizike, mendore dhe morale të punëtorëve në industrinë tuaj?

20. [Vërejtje të përgjithshme. Fundi i pyetësorit.]

Leave a comment