Pandemia e koronavirusit ka karakter të thellë klasor

Koronavirusi vërtetë “godet” këdo! Nga Edi Rama tek infermjeri që punon orë shtesë në QSUT, për të ndihmuar sado pak, në këtë gjendje të rënduar. Por, parandalimi dhe përballja me të, është thellësisht çështje klasore dhe kjo situatë duhet të gjykohet nga këndvështrimi i jetës, jo i mbijetesës barbare. Do të na thonë, dhe realisht qeveria jonë gjatë gjithë kësaj kohe na e ka thënë, se nuk është dhe ndonjë sakrificë e madhe, të qëndruarit në shtëpi për disa ditë, të mbyllur. Mirë, edhe mund të qëndrojmë mbyllur disa ditë, të cilat nuk na bëjnë ndonjë përshtypje të madhe, krahasuar me gjatësinë e jetës tonë, për të mirën e shëndetit tonë dhe të kolektivit që na rrethon. Por, dhe kjo është një POR e madhe, duhet të rezistojmë ndaj idesë që së bashku me mbylljen fizike në shtëpi, të mbyllim mendimin tonë kritik, që është një përfitim i madh për borgjezinë gjatë kësaj aventure.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, blogu ynë, Zëri Komunist i Shqipërisë, është pozicionuar dhe ka mbajtur qëndrim parimor, me ato mundësi që kemi pasur, për të gjitha çështjet që shqetësojnë sot njerëzit. Kemi mbajtur qëndrim për sulmin e hapur dhe të fshehur që po kryen borgjezia vendase dhe ndërkombëtare ndaj të drejtave të klasës punëtore dhe shtresave popullore në çdo vend, përfitimet që po përpiqet të nxjerrë nga kjo situatë “apokaliptike” sipas mediave të saj, jemi përpjekur dhe do vazhdojmë të përpiqemi me mundësitë që kemi, t’i ndodhemi pranë klasës tonë punëtore, të vet-punësuarve, rinisë dhe popullit në përgjithësi. Demaskimet e gjithanshme politike, do të vazhdojnë të shpërndahen nga blogu ynë, Zëri Komunist i Shqipërisë, dhe ftojmë çdo militant dhe progresist, çdo komunist dhe komuniste, të ndihmojë në këtë luftë klasore, kontradiktat e së cilës po ashpërsohen dita-ditës, me aq sa ka mundësi secili, me shkrime, denoncime, artikuj të ndryshëm, në mbështetje pa rezerva të klasës tonë punëtore, të rinisë dhe masave punonjëse, kundër kapitalit dhe shërbëtorëve të tij.

Nuk harrojmë!

Nuk harrojmë fajtorët e vërtetë që sollën gjendjen deri në këtë pikë, në çdo shtet kapitalist. Nuk harrojmë përgjegjësit, që sollën Shëndetësinë Publike deri në këtë situatë mjerane, si në shtetin tonë, ashtu dhe në çdo shtet tjetër të BE-së dhe më tej, në botën kapitaliste. Nuk harrojmë autorët fizikë dhe moral, të gjitha qeveritë e vendit tonë, të cilat janë përgjegjëse e lënies në harresë së masave parandaluese, për shkak të politikave tregtarizuese të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Sociale. Nuk harrojmë se çdo qeveri shqiptare, që nga përmbysja e socializmit dhe më tej, ka sulmuar me tërbim dhe urrejtje të madhe të gjitha arritjet e klasës tonë punëtore gjatë ndërtimit të socializmit, në çdo hap kanë promovuar interesat e njërit ose tjetrit grup monopolist që përfaqësonin, duke shkelur vazhdimisht të drejtat e punëtorëve dhe masave të punonjësve! Të gjithë këta mbajnë përgjegjësi, përpara gjendjes së krijuar për masat popullore, dhe pikërisht këtë përgjegjësi duan të fshehin duke na treguar se armiku është ai që qarkullon jashtë kohës së caktuar të karantinës, dhe jo mungesat kriminale në sistemin kapitalist shëndetësor, të trashëguara nga ekonomia kapitaliste.

Nuk jemi të gjithë në të njëtën anije!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Italisë (Partito Comunista) Marko Rico, u shpreh në një intervistë të dhënë ndaj Affaritaliani.it, për situatën në Itali, e cila po shfaq pasoja objektivisht të pritshme, për shkak të periudhës dramatike që po përjeton Italia në kuadrin kapitalist, pas përhapjes së pandemisë së Covid-19.1

Sipas Ricos, “Situata dramatike që po përjeton Italia këto ditë, tregon qartë se gjatë 30 viteve të fundit, pas rënies së murit të Berlinit dhe zhdukjes së bllokut sovjetik, shteti social dhe shëndetësia publike në vendin tonë janë shkatërruar”. Ai vazhdoi duke sulmuar politikat antipunëtore dhe antipopullore të të gjitha qeverive të kaluara italiane, të cilat përgjatë këtyre dekadave e kanë shtyrë fushën e shëndetësisë drejt Kapitalit. Sipas tij, “Pas përmbysjeve kundërrevolucionare, çdo gjë u shkatërrua“. Mos të habitemi aspak që në Itali kjo tragjedi po ndodh pas privatizimit dhe kthimit të shëndetësisë, të jetës së njerëzve, në një mall për shitje. Rico lëshoi kritika të ashpra edhe ndaj BE-së, kritika të cilat ne, Zëri Komunist i Shqipërisë, i mbështesim dhe përforcojmë. Më konkretisht, Rico tha se “Kur erdhi çasti që të na ndihmonte (BE-ja) në këtë krizë serioze shëndetësore, Evropa, literalisht, u zhduk” dhe shtoi se “solidariteti ndaj Italisë erdhi nga shtete si Kuba, Venezuela, Vietnami, Kina, të cilat kanë një qasje tjetër në këtë çështje”. Rico përsëriti qëndrimin e komunistëve në Itali, se pas pandemisë, shteti duhet të shkëputet nga eurozona, BE-ja dhe NATO-ja, duke pakësuar shpenzimet e tepërta ushtarake. “Jemi në luftë” – pohoi dhe shtoi se “mund t’ja dalim vetëm me një model tjetër shoqëror, me socializmin.”

Ta thyejmë heshtjen!

Zëri Komunist i Shqipërisë, qysh në orët e para të kësaj situate dramatike që kalon vendi ynë dhe bota e tërë, ka luftuar me të gjitha fuqitë e veta, për të thyer heshtjen dhe fshehjen e së vërtetës që ushqehet nga të gjitha partitë borgjeze, nga oportunistët dhe nga sindikalistët e shitur të KSSH-së. Helmi i idesë se jemi “të gjithë bashkë” në këtë betejë, i cili ushqehet vazhdimisht prej qeverisë nga njëra anë dhe “heshtjes” që ka kapluar të mësipërmit nga ana tjetër, NUK duhet të kalojë dhe NUK do të kalojë.

“Pse nuk jemi në të njejtën anije?”- na kanë pyetur miq, lexues, simpatizantë dhe kritikues të blogut. Sepse punëtorët dhe kapitalistët nuk ndajnë të njëjtën peshë në përballimin e situatës.

Punëtorët luajnë me jetën e tyre “tek a çift” në vendet e punës, vende pune që më shumë ngjajnë me burgje. Siç kemi denoncuar dhe do të vazhdojmë të denoncojmë, ata ndeshen me kërcenime për largime nga puna kur mungojnë në punë, ose kur paraqiten në vendin e punës – nuk kanë masat e nevojshme për mbrojtjen e higjienës, sepse ato shihen si kosto shtesë, “e papërballueshme” për kapitalistët. Neve na kërkohet të vazhdojmë të punojmë, në kushte mesjetare në vendet e punës, nën shoqërinë e vazhdueshme të pasigurisë dhe kërcënimit për heqje nga puna, ndërsa kapitalistët përfitojnë privilegje, si fondet e emergjencës, nga plani financiar i miratuar nga qeveria.2

Populli tashmë e kupton se nuk do të dalim prej pandemisë, të gjithë, në të njejtën mënyrë. “Ata poshtë”, pra ne “kokëpalarët”, kemi për të dalë me numrin më të madh të viktimave, siç do të ndodhë kudo në planet, do të dalim me të drejtat tona të mbetura “në karantinë”, me marrëdhënie pune edhe më “të paqëndrueshme”, me më shumë borxhe ndaj bankave dhe shtetit dhe me masa të “kripura” për xhepin tonë.

Pse? Kush mendoni se do të paguajë të gjitha këto shpenzime? Cila klasë? (s’ka nevojë për koment).

Nga ana tjetër, “ata sipër” do të dalin më të forcuar nga çdo këndvështrim, me – përveç të tjerash – një fushë të gjerë ligjore, të ngritur mbi bazën e “emergjencës” së kësaj periudhe, për ta intensifikuar edhe më tej shfrytëzimin kapitalist.

E kemi parë më parë këtë film, po e shohim përsëri. Në emër të “solidaritet kombëtar, shqiptar”, hidhet poshtë me marifet lufta e klasave, kontradiktat e së cilës pikërisht këto ditë, janë duke u ashpërsuar.

Populli duhet të kundërsulmojë për të mbrojtur të drejtat e tij, pa u frikësuar nga e gjithë kjo peripeci që po përjeton. Populli duhet të jetë gati dhe të kundërsulmojë për të rimarrë, jo vetëm këto që po humbet këto ditë, për shkak të pandemisë, po gjithçka ka humbur vitet e fundit, të dalin në plan të parë nevojat e tij. Sepse gjer sot, populli ka paguar shumë, ndaj nuk duhet të paguajë më!

Me optimizëm, drejt luftës për të nesërmen që na takon, brenda kësaj përpjekjeje dhe lufte, Zëri Komunist i Shqipërisë është duke hapur diskutimin e madh për kushtet në të cilat duhet të jetojnë punëtorët dhe masat popullore, në bazë të mundësive bashkëkohore të epokës sonë. Duhet thënë me zë të lartë se punëtorët dhe masat popullore duhet të jetojnë sipas nevojave të tyre shoqërore dhe nuk duhet të bëhen viktimat e para të shkatërrimeve natyrore dhe të epidemive. Sot, në shekullin XXI, duhet të mundemi të shijojmë arritjet e shkencës dhe teknologjisë! Duhet të hapim diskutimin për të nisur zhdukjen e fitimit kapitalist si arsyeja e vetme e prodhimit. Duhet të hapim diskutimin për domosdoshmërinë e socializmit-komunizmit si të vetmen rrugë të përshkueshme në epokën tonë.

I kujtojmë popullit arritjet e Shqipërisë socialiste në fushën e Shëndetësisë dhe në ndërtimin e shtetit, në socializmin ku populli ynë bënte pjesë krenarisht gjatë shekullit të XX. Edhe sot, 30 vite pas përmbysjes kundërrevolucionare të socializmit, është gjer në një farë shkalle infrastruktura që na la shteti socialist në shëndetësi, që po ndihmon në mënyrën më efikase në përballimin sa më të organizuar të situatës pandemike në shtetin tonë, tashmë kapitalist. Nëse krahasojmë se sa spitale, qendra ambulance, klinika, staf mjekësor të specializuar etj. kishte ngritur sistemi Socialist dhe sa është investuar këto 30 vite në kapitalizëm dallimi është i madh.

Dhe pa dyshim ky dallim, shkon në favor të diktaturës së proletariatit dhe jo të diktaturës së sotme të borgjezisë.

Këtë e vërteton edhe shembulli i Kubës, e cila është në pararojë te kërkimit shkencor farmaceutik për përballimin e virusit.

Ne, këtë rrugë do të vazhdojmë të ndjekim, rrugën militante, ashtu siç dinë komunistët dhe komunistet. Së bashku me masat e nevojshme, vetjake, të parandalimit, duhet të veprojmë në mënyrë intensive, në mënyrë që asnjë punonjës mos të jetë dhe mos të ndihet i vetëm në këtë betejë. Koronavirusi mund të jetë i “padukshëm”, por pandemia ka vërtetuar se armiku i masave punonjëse është më i dukshëm se kurrë. Është vetë sistemi kapitalist, dhe në ditët e sotme, edhe një krim i shtohet “llogarisë” së tij kriminale. Prapa logjikës së tij rreth “kosto-s oportune”, mbetën mijëra viktima në të gjithë planetin.

Ndaj, erdhi koha për t’u hapur diskutimi mes studentëve, punëtorëve dhe të gjithë atyre që mbahen nga puna e tyre, rreth nevojës imediate për organizim dhe kundërsulm nga ana jonë!

-Zëri Komunist i Shqipërisë

Shënime, referenca :

1:https://www.affaritaliani.it/politica/il-covid-19-ha-
ucciso-ue-e-capitalismo-l-unica-soluzione-e-ilsocialismo-660784.html?refresh_ce

2:https://tvklan.al/deklarata-e-forte-e-rames-7-pikat-e-panit-financiar/

Leave a comment