Shëndetësia nën kthetrat e kapitalit, rasti i SHBA-së

Po shtohet ushtria e të papunëve dhe të vdekurve në SHBA

Goditja e dyfishtë, ajo e pandemisë së Covid-19 dhe ajo e papunësisë, po godet pjesë, gjithnjë e më të mëdha, të popullit amerikan. E tashmja qysh në këtë çast, po i shëmbëllen një distopie të frikshme, pa gdhirë ende dita e nesërme pas krizës. Numri i të infektuarve po shtohet në mënyrë të frikshme, duke arritur gati 300.000, ndërsa të vdekurit janë mbi 6.000. Për më tepër, shifrat që u deklaruan të Enjten 2/4 nga  Departamenti i Punës flasin për mbi 6.648.000 punonjës, të cilët pasi janë hequr nga puna, kanë aplikuar për herë të parë për asistencë papunësie! Në mes të Marsit më shumë se 3.300.000 amerikanë kishin aplikuar për herë të parë për asistencë papunësie. Po flasim për rreth 10 milion njerëz të papunë. Le të shënohet këtu, se këta konsiderohen “fatlumë”, sepse munden të aplikojnë dhe të përfitojnë asistencën prej 600 dollarësh në javë për 4 muaj. Ky dëmshpërblim përkthehet në 15 dollarë ora, për 40 orë punë në javë. Për të krahasuar, rroga më e ulët me urdhër qeveritar është diku rreth 7,25 dollarë ora dhe pagesa mesatare për përfitimet e papunësisë ishte diku rreth 385 dollarë për person në muaj, në fillimet e këtij viti.

Por, përveç këtyre, janë miliona punonjës të tjerë, të cilët ose punojnë me kohë të pjeshme (dhe për këtë arsye nuk plotësojnë dot orët e mjaftueshme për të përfituar nga asistenca e papunësisë), ose deklarohen si “të vetëpunësuar – kontraktues”, duke u ofruar punën e tyre platformave të tipit “Uber” dhe “Airbnb”. Disa sindikata në Amerikë i kanë ushtruar presion Kongresit që të mund të përfitojnë nga asistenca e papunësisë edhe ‘gjasme’ të vet-punësuarit e “ekonomisë gig”, i cili miratoi fondin e 2,2 triliardë dollardëve si përforcim në luftën e pandemisë, ku pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë te kapitali i madh.

Megjithatë, analistë ekonomikë të Bankës Federale të SHBA-së, parashikojnë se të papunët, gjatë muajve të ardhshëm, mund të arrijnë deri në 47.000.000 ose dhe 52.000.000 njerëz! Të Enjten, 2/4, kompania “Pantheon Macroeconomics” parashikonte se vetëm gjatë Prillit, numri i të papunëve do të shtohet me 10 milion njerëz!

Ushtria e të pasiguruarve dhe shpenzimet e shtrimit në spital

Njëkohësisht, pandemia nxorri në sipërfaqe dhe sistemin, plotësisht të privatizuar, të Shëndetësisë.
Shumica e shtresave popullore e kanë të pamundur mjekimin dhe trajtimin në spitalet e Amerikës dhe veçanërisht shqetësuese është gjendja për rreth 30 milion punonjësit e pasiguruar, pothuajse 10% e popullsisë së SHBA-së. Është interesant kërkimi që ka kryer instituti amerikan “Fair Health”, i cili merret me studimin e të dhënave statistikore të mbulimit të sigurimeve shoqërore në sektorin mjeko-farmaceutikal dhe infermieror. Nga një studim i posaçëm në 30 miliard arkiva të të dhënave të bankave të sigurimeve, u zbulua se nëse një amerikan i siguruar infektohet nga koronavirusi dhe i duhet mbulimi mjekësor për një javë, kostot do të lëkunden – në rastin më të mirë- midis shifrave 21.936 dhe 38.755 dollarësh! Në rast se është i pasiguruar, kostot do të jenë midis 42.486 dhe 74.310 dollarësh. Dhe nuk janë vetëm shërbimet spitalore të shrenjta, por çdo shërbim mjekësor nga distanca. Një telefonatë, e cila do të zgjaste për 10 minuta, në një qendër mjekësor privat ose në një mjek të specializuar, i kushton punëtorit të siguruar amerikan diku rreth 34 dollarë. Tek i pasiguruari 43…

Në qytetin e New-York, zona të varfëra si Queens, Jackson Heights dhe Elmhurst u goditën prej koronavirusit shumë më tepër se sa rrethinat më të pasura, si Manhattan ose Brooklyn! Në periferitë e varfëra, familjeve me shumë anëtarë, të cilat jetojnë në shtëpi dhe apartamente me hapësira të ngushta, u është mohuar, në thelb, çdo ndihmë mjekësore dhe farmaceutike. Më të shumtët e qindra të infektuarve nga koronavirusi nuk kërkuan absolutisht asnjë ndihmë nga shërbimet e Shëndetësisë ose spitalet e qytetit, për një arsye shumë të thjeshtë, nuk e përballonin dot “ndihmën” financiarisht…

Diku rreth dy javë më parë, një 17-vjeçar nga Lankaster i Los Anxheles vdiq për shkak të koronavirusit, pasi ishte i pasiguruar dhe i varfër. Varfëria e adoleshentit ishte, për administratën e spitalit, e mjaftueshme, për të mos i mundësuar aksesin në Njësinë e Terapisë Intensive. Këto janë rrjedhojat objektive të tregtarizimit të shëndetësisë, jeta jonë – me kuptimin e parë të fjalës – sakrifikohet per interesat e kapitalit te madh, në kërkim të maksimalizimit të fitimeve të tij.

Situata katastrofale në New-York, ishte shkaku i grevës që kryen të Enjten një numër i rëndësishëm mjekësh dhe infermierësh, në spitalet Mount Sinai, Montefiore dhe New York Presbytarian, duke kërkuar më shumë personel mjekësor dhe infermieror, si dhe materiale mjekësore dhe farmaceutike për të mbrojtur pacientët dhe veten e tyre.

Nuk mund të harrohen as pamjet që na erdhën ditët e para të javës, nga Las Vegasi, ku qindra të pastrehë u detyruan të flinin në një parking të hapur, nën direktivave të autoriteteve lokale, për shkak të…nevojave për distancimin social (!), kur njëkohësisht shumica e hoteleve të qytetit janë boshë për shkak të pandemisë!

Shkëlqimi i madhështisë së “ëndrrës amerikane”…




Leave a comment