Bertolt Brecht – Këngë për armikun e klasës

(Marrë nga: Kënga e një nëne gjermane (1961) / Përkthyes: Robert Shvarc)

1

Kur qeshë djal’ i vogël, më çoi babai në shkollë

Atje mësova mjaft mbi këtë botë –

Mbi timen dhe mbi tënden.. Por kur mbarova

Mu duk sikur mësimi nuk ish dhe aq i plotë.

Dhe s’kisha ç’farë të haja në mëngjes

Kurse të tjerët rrufisnin gjëra plot:

Kështu mësova tiparet e çdo klase

Dhe s’i harrova dot as gjer më sot

Dhe mësova qysh e pse

Qënka e çarë kjo botë e shkretë

Dhe kjo e çarë do mbetet, pse shiu

Nga lart na bie tatëpjetë.

2

Edhe ata më thonin: Të rrish kështu i urtë

Pa dhe për ty, e ardhmja do të ndrijë.

Me vehte thash’: Po mbeta i urtë dhe i butë

S’do kem asgjë në vijë.

Dhe pashë si shumëkush nga xhinsi ynë

Nuk u kërcente fort sipas kavallit –

E kur pastaj e gjente ndo’j bela

I vinte dhe çudi zavallit.

Por mua s’më çudiste fare

Sepse e dija këtë të vërtetë:

Që shiu bie nga lart poshtë

Dhe kurr’ nga poshtë lart përpjetë.

3

Pastaj dëgjova daullet tek binin,

Tek flisnin kudo në çdo kënd:

Na duhet që të bëjmë ca luftëra

Për t’zënë nën diell një vënd!

Bërtisnin e thërrisnin ca zëra të ngjirur,

Parajsën përmbi tokë çdokujt ata i premtonin.

Të tjera gushëfryrë këlthisnin:

Mos u dorëzoni, edhe pak duroni!

Të gjithë ne pandehëm: Dhe pak, dhe pak!

Pastaj do të na vijë çdo gjë në pjatë!

Por shiu na vërshoi prapë tatëpjetë

Dhe ne për katër vjet hëngrëm veç bar të thatë!!

4

Pastaj na thanë përnjëherësh:

Një Republik’ tani do kemi!

Dhe qofshim t’hollë o të trashë

Të gjith’ njëlloj do jemi!

Kështu ata që ishin të uritur

Me shpresë u mbushën sot,

Edhe ata që ishin fort të ngopur

Prap shpresa kishin plot.

Por unë thash’: Diçka s’qënka në rregull

Më brente një dyshim i shkretë:

Si mund të ndodhë që ky shiu

Dashka të derdhet lart përpjetë?

5

Të gjithëve na dhanë fletushka për zgjedhje,

Të gjithëve na mbushën plot me premtime,

Dhe ti, o shok, u dhe shpejt armën

Dhe unë pushkën time.

Pastaj na thanë, se ata

Që dijn’ më shum’ se ti dhe unë

Do qeverisnin – kurse ne

Do shkonim vrap në punë.

Kjo prap seç më lëkundi,

Por duhej lidhur gjuh’ e shkretë,

Dhe thash’: Sa mirë që ky shiu

Dashka të derdhet lart përpjetë.

6

Pastaj dëgjova tek na thonin:

Çdo gjë do të sqarohet,

Po të shpëtojm’ nga hall i vogël

I madhi rregullohet!

Dhe ne pranuam Pfafenin

Që Papeni të binte,

Pastaj gllabëruam Papenin

Që Shlajheri mos vinte.

Dhe njëri tjetrit ia pasoi,

Dhe tjetri gjet një gjeneral.

Dhe shiu derdhej tatëpjetë –

Dhe ish një shi fort “kolosal”.

7

Ndërsa ne shpejt votonim

Nga krizat mbylleshin fabrika.

Kur flinim para zyrave të punës

Ata nga ne s’i zinte frika.

Dëgjonim fjalë si këto:

Veç prisni! Mbani rregull e qetsi!

Pas krizave të mëdha

Shpejt vijnë koh’ me begati!

Dhe un’ u thoja shokëve:

Kështu armiku i klasës flet!

Kur flet për koh’ të lumtur

Ndër mënd ka kohn’ e vet!

Sepse nga toka shiu

Nuk ngrihet lart, dhe po të dojë!

Ai veç diçka mundet të bëjë:

Kur dielli ndrit – mund të pushojë!

8

Një ditë i pashë tek marshonin

Prapa një flamuri të ri.

Dhe ca nga tanët thanë:

Armiq të klasës s’paska më tani.

Disa surretër që i njihja

I pash’ në krye të tyre

Dhe i dëgjova duke u çirrur

Porsi rreshterë të pafytyrë.

Dhe mes flamurësh dhe festash

I heshtur shiu derdhej ditë e natë,

Edhe çdokush e ndjente, që s’kish strehë

E që ndër rrugë shtrihej gjërë e gjatë.

9

Ata stërviteshin në qitje

Dhe flisnin për armikun tënd.

Tregonin tej kufijve

Dhe ty t’kishin ndër mënd!

Se ne dhe ata jemi armiq

Në luft’, që vetëm njëri e fiton,

Se ata jetojn’ nga ne, dhe ngordhin

Po qe se skllavi nuk punon.

Prandaj dhe ju nuk duhet

Të mbeteni pa mënd në kokë

Kur sulet përmbi dhe, si shiu

Që sulet përmbi tokë!

10

Dhe kush nga ne pati uri

Ai në betejë ra.

Dhe kush na vdiq ndër duar

Ai nga dorë e tyre u vra.

Ai, q’e mirrnin me policë,

Urin’ s’e pat pranuar,

Ai, q’i thyenin nofullat,

Veç bukë pat kërkuar.

Atij që bukë i premtuan

I hidhen mu në grykë.

Ai që rrasin brënda

T’vërtetën thosh pa frikë.

Dhe ai që u besoi

Se qënkan miq me ne,

Ai paskësh pritur kot që shiu

Nga toka të derdhej në re.

11

Se ne armiq të klasës jemi

Çfarëdo që të na thonë:

Ai që nga ne s’guxoi t’luftonte

Guxoi të vdiste përgjithmonë.

Armiq të klasës jemi ne, edhe këtë

Nuk e mbulon asnjë daulle e bori!

Junker e fabrikant e gjeneral –

Armiku yn’ je ti!

E kjo s’mund të ndryshohet

As rregull tjetër s’ka!

Shiu nuk rrjedh përpjetë,

Por derdhet poshtë që nga lart.

12

Sado t’i lyejn’ muret

E plasura atje na rri!

Njëri qëndron – e tjetri do bëjë udhë:

O unë, ose ti!

Dhe çfarëdo që të mësoj

Një edhe një gjithmonë kanë bërë dy:

Armik i klasës je edhe do mbetesh

Dhe unë armik të kam dhe do të t’kem veç ty

Se fjal’ që t’na bashkojë

S’do gjendet në ktë jetë:

Ti je armiku im

Dhe shiu rrjedh nga lart përpjetë!


-Zëri Komunist i Shqipërisë

Leave a comment