Yjet shndërrisin më shumë kur janë pranë njëri-tjetrit! *

5 Maji është Dita e Dëshmorëvë të Popullit shqiptar. Është dita në të cilën përkujtojmë 28 mijë dëshmorët, partizanët që ranë heroikisht në fushë-betëjen kundër pushtuesve nazi-fashistë, për një Shqipëri të lirë jo vetëm nga zgjedha e huaj pushtuese, por edhe nga shfrytëzuesit vendas shqiptarë, nga bashkëpunuesit e nazi-fashistëve. Siç thoshte edhe poeti komunist Qemal Stafa, ata ranë për një botë të re, që do të lulëzonte nga gërmadhat.

Sot, në kushtet e regresit dhe të restaurimit kapitalist, është i pashmganshëm dhe procesi i falsifikimit, i shtrembërimit të historisë. Balta që hidhet nga PS-ja, PD-ja, LSI-ja, nga moria e instituteve që ato financojnë, si ai i Çelo Hoxhës1 (ISSK), të cilat propagandojnë se “pushtuesit” na paskan qenë “kalimtarë” (!!!) dhe partizanët vepronin si një “organizatë kriminale” (!!!). Kjo është e pashmanghsme, pasi vepra e partizanëve dhe e LANÇ-it, e cila udhëhiqej nga PKSH-ja, nuk hiqet dot kollaj nga kujtesa e popullit tonë. Sot jetojmë nën diktaturën e kapitalit, sot monopolet kanë pushtetin dhe këtë vit e kanë treguar mjaftueshëm karakterin klasor të pushtetit, duke filluar që nga “menaxhimi” i pasojave të tërmetit, tek ndihma aktive që i kanë dhënë këlyshit të tyre Kol Nikollaj dhe sindikatës së tij të shitur në Bulqizë, nga menaxhimi i koronavirusit ku faturat e krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike që do të pasojë do t’i paguajnë në kurrizin e tyre klasa punëtore dhe masat e punonjësve!

Në kushtet e këtij reaksioni, i cili ka nevojë për një legjitimitet ideologjik, zhvillohet edhe zhvlerësimi dhe baltosja e karakterit klasor të LANÇ-it dhe të ndërtimit të socializmit që e pasoi atë. “Partia Socialiste” borgjeze e Ramës është ajo që rehabilitoi një figurë tradhëtare, si ajo e Midh’at Frashërit, është ajo e cila qeveris këtu e 7 vjet në shërbim të oligarkisë, duke vazhduar së bashku me LSI-në rrugën e nisur prej PD-së, atë të goditjes së atyre të drejtave që kanë mbetur për klasën punëtore. Sot nderohen si heronj vrasësit e partizanëve, kolaboracionistët e ndryshëm ballistë ose zogistë! Herë nëpërmjet antikomunizmit të hapur, herë nëpërmjet retorikës mbi “diktaturën staliniste”, e cila, gjasme, “e tradhëtoi” kauzën për të cilën dhanë gjakun e tyre partizanët në Shqipëri, të gjithë këta përpiqen të shtremberojnë arsyen për të cilën luftuan partizanët, të udhëhequr nga Partia Komuniste e Shqipërisë!

Por as antikomunizmi që është fashizëm, dhe as socialdemokracia me antikomunizmin e saj të hapur ose të kamufluar nuk ja kanë arritur që të fshijnë nga ndërgjegja jonë gjakun e derdhur dhe sakrificat e mëdha për një Shqipëri të lirë socialiste-komuniste!

Shembulli i Partizanëve na frymëzon edhe sot. Popujt dhe Partizanët e Ballkanit e të botës, të koordinuar me njëri tjetrin i treguan vendin që meritonin imperialistëve nazi-fashistë. Kjo përvojë nuk harrohet nga komunistët e vërtetë. Kush ndihet krenar për historinë e LANÇ-it nuk mundet të durojë dhe të mbështesë partitë e sotshme borgjeze antikomuniste si PS-ja, PD-ja, LSI-ja dhe partitë e nesërme borgjeze socialdemokrate që do t’i propozohen shqiptarëve si alternativa e të ardhmes me të njëjtën frymë antikomuniste.

Është detyrë e çdo komunisti, e çdo militanti të ndershëm që vepron në bazë të interesave objektive të klasës punëtore, që të luftojë dhe të demaskojë kudo falsifikimin e historisë, e cila mban vulën përgëzuese të BE-së, vulën e barazimit të sistemit socialist, të sistemit ku për herë të parë u zhduk shfrytëzimi i njeriut nga njeriu, me nazi-fashizmin, me fytyrën më të egër, brutale dhe të dhunshme në shërbim të oligarkisë, i cili është pjellë e kapitalizmit dhe në shërbim të tij!

E paharruar qoftë vepra dhe gjaku i derdhur i partizanëve!
Lavdi Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare!
Lavdi komunistëve!


-Zëri Komunist i Shqipërisë


Shënime:

*Yjet shndërrisin më shumë kur janë pranë njëri-tjetrit, në këtë mënyrë nis vepra e Resul Bedos “Yje të Pashuar”, në lidhje me Dëshmorët e LANÇ-it.

1) https://zerikomunist.home.blog/2019/11/24/antikomunizmi-fashizem/







Leave a comment