“Ëndrra amerikane” dhe gjithë madhështia e saj

Me sa duket, “American Dream” (Ëndrra Amerikane) do të jetë e tillë për ata të cilëve ua mundëson portofoli, pasi nëse dikujt nuk ia mundëson, atëherë ai do të ndeshet me një makth që i mohon aksesin në Shëndetësi, në Arsim, në Shërbimet e ndryshme Sociale. I mohon për më tepër dhe një vdekje dinjitoze dhe një varrim dinjitoz. Varret e përbashkëta në “Hart Island” klithin në lidhje me këtë gjendje!

Koronavirusi nxorri në pah shumë tipare të shteteve kapitaliste, prej të cilave SHBA-ja dhe “ëndrra amerikane” nuk bëjnë përjashtim. Nxorri në pah lakuriqësinë e sistemit të Shëndetësisë, në saj të së cilit njerëzit janë duke vdekur sikur të ishin thjesht shifra të parëndësishme (deri tani numërohen 93.000 të vdekur prej tij), lakuriqësinë dhe fëlliqësinë e të gjithë atyre që argumentojnë pro logjikës së “Shëndetësisë më efikase, kur ajo tregtarizohet” dhe që masin jetën në bazë të “njësisë matëse” të përfitimit kapitalist, mbi bazën e të cilit kanë përparësi kostot-fitimet, kundrejt jetës së një njeriu! Mbi këtë logjikë bazohet kapitalizmi dhe “Ëndrra Amerikane”, ëndrra e shtetit ku numrat e të papunëve, të të pastrehëve, e të varfërve dhe njerëzve të margjinalizuar, pa akses në shërbimet më elementare të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Sociale, po rritet në mënyrë të frikshme vit pas viti!

Një lajm që publikuan agjencitë mediatike konfirmon karakterin ç’njerëzor të kapitalizmit. Në lajm thuhej se “pothuajse 1.5 milion njerëz humbën punën e tyre, qysh prej Marsit deri më sot në sektorin e Shëndetësisë në SHBA, 135.000 prej tyre ishin të punësuar në spitale, të ardhurat e të cilëve u kufizuan në mënyrë të ndjeshme, pasi u ul numri i pacientëve, të cilët nuk vuajnë prej Covid-19”. Me pak fjalë, u ul ndjeshëm numri i pacientëve-klientëve, pra edhe fitimet e nxjerra duke ofruar shërbimet Shëndetësore, me pagesë, ku si pasojë objektive punëdhënësit flakën nga puna qindra mijëra punonjës për të reduktuar kostot!

Përllogariten shifra të frikshme, kur bëhet fjalë për tregun e Shëndetësisë në SHBA. Vetëm për periudhën Mars-Qershor, humbjet përllogariten në rreth 200 miliardë dollarë, të paktën kështu vlerëson Unioni i Spitaleve. Spitalet janë biznese gjigande, sipas fondacionit “Kaiser Family”, kostot e një pacienti që mjekohet dhe intubohet në këto spitale, kapin shifrën e 80.000 dollarëve. Se si qëndron pra situata në Sistemin Shëndetësor të SHBA-së, të vatrës së “Ëndrrës Amerikane”, është tepër e qartë. Për më tepër, mund t’i drejtohemi shpjegimit që na mundëson Howard Markel, drejtori i Qendrës së Historisë së Mjekësisë në Universitetin e Miçiganit, i cili pat deklaruar se: “Sistemi shëndetësor i SHBA-së financohet – dhe pasuron shumë njerëz – nëpëmjet testimeve shumë të kushtueshme dhe operacioneve që nuk janë urgjente, si dhe duke ndërtuar spitale gjigande, në bazë të këtij modeli ekonomik”. Të këtij modeli, që e mat, në mënyrën më brutale të mundshme, vlerën e jetës së njeriut, me njësi matëse kartmonedhat që njeriu zotëron!  “Sigurimet, si ato të sektorit privat, po ashtu edhe ato të sektorit publik, paguajnë kur vendosim dikë në tuba, jo kur bisedojmë me të”, deklaroi H. Markel. Ndërsa Universiteti i Miçiganit deklaroi se nuk do të paguante kontributet e pensionit ndaj punonjësve gjatë vitit tjetër, sepse u reduktuan të ardhurat nga qendra mjekësore e tij.

Por, nuk janë viktima vetëm ata që varfëria ekonomike u pamundëson aksesin në shërbimet mjekësore. Viktima janë edhe punonjësit e sistemit të shëndetësisë. Pasi operacionet dhe ekzaminimet jo urgjente janë shtyrë në kohë, në më të shumtat e spitaleve, për shkak të koronavirusit, pronarët dhe administratorët e spitaleve janë duke flakur në rrugë punonjësit me procese “të rregullta”. Sipas lajmit, “në sistemin amerikan, shumë infermiere nuk janë rrogëtare të rregullta, por shkojnë në punë “sipas ditës”, në mënyrë që spitalet të mund të reduktojnë shpenzimet e tyre nga njëra ditë në tjetrën”.

Në këtë mënyrë nxjerrin fitimet e tyre prej punonjësve të dëshpëruar, të cilët i shtrydhin dhe më tej, pasi “u pinë lëngun”, i flakin tutje në rrugë, sikur mos të ishin njerëz! Një infermiere nga Florida shprehej nëpërmjet Agjencisë Franceze se tashmë është “vigjilente” dhe se spitali i saj i kërkoi që të punonte të Dielën, ditën që përkonte me ditën e Nënës. “Askush nuk donte të punonte, por unë isha e dëshpëruar, sigurisht që shkova”. Një infermiere tjetër në Washington, punon tashmë vetëm 9 orë në javë, në vend të 36 orëve në javë, orari që kishte deri së fundmi. Një kolege e saj në Miami u pushua nga spitali i saj, ku punonte vetëm 2 ditë në javë.


Shumë pacientë-klientë nuk u vendosën në tuba dhe infermierët mbetën pa punë. Po kapitalistët? Ata jo, sigurisht, pasi gjetën një burim të ri fitimprurës. Burimi i ri janë testet e diagnostifikimit për koronavirusin e ri. Patjetër edhe këto janë në dispozicion të kujtdo…që ka mundësinë për të paguar!


Burimi i lajmeve: https://www.902.gr

Burimi i fotos: Associated Press




Leave a comment