Mbi ngjarjet e fundit, në lidhje me Teatrin Kombëtar

Ashtu siç ishte paraljmëruar, Teatri Kombëtar u shemb, në të zbardhur të datës 17 Maj 2020.

Përpara se të shtjellojmë më tej qëndrimin tonë, dëshirojmë t’u kërkojmë një falje publike lexuesve tanë, për vonesën e këtij artikulli. Vonesa vjen si për arsye objektive, për shkak të mundësive të kufizuara që ka Blogu ynë, ashtu edhe për arsye subjektive, për shkak të pjesëmarrjes në manifestimin kundër shembjes së teatrit, ku njëri prej nesh, student dhe punëtor, u shoqërua në komisariat, (si shumë qytetarë dhe aktivistë të tjerë). Kështu e patëm të pamundur të pozicionoheshim më parë për çështjen e shëmbjes së Teatrit Kombëtar.

Çështja e Teatrit Kombëtar nuk është një çështje që doli nga hiçi, ajo ka lindur si një pjesë përbërëse e shoqërisë ku jetojmë, e realitetit që na rrethon. Kjo çështje, ashtu si edhe shumë çështje të tjera të ngjashme kundër interesit publik, kanë ardhur si pasojë e përmbysjes kundrërrevolucionare të socializmit në vendin tonë dhe në shumicën dërrmuese të shteteve të kampit socialist të shekullit të XX-të. Sulmi ndaj të gjitha objekteve publike dhe të gjitha të drejtave sociale të fituara dikur, ka nisur në vendin tonë menjëherë pas restaurimit kapitalist.

Përtej ngjarjeve kronologjike, me të cilat njerëzit janë të njohur, është shumë e rëndësishme te theksohet se të të treja parti politike, të cilat kanë peshën kryesore ne jetën politike, PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja, janë bashkëfajtore në këtë krim.

Në vitin 2004, edhe pse nën qeverisjen e partisë “socialiste”, tashmë të transformuar në një parti borgjeze, të drejtuar nga kryetari i atëhershëm Fatos Nano, Teatri Kombëtar cilësohej “Monument Kulture i Kategorisë së Dytë”.  Megjithatë që herët, Edi Rama, që ishte bërë një figurë e rëndësishme brenda Partisë Socialiste, kishte nisur propagandën e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar. Siç ka pohuar edhe vetë prej 20 vitesh planifikonte shembjen e Teatrit Kombëtar1, pra që në vitet 2000.

Pasoi qeverisja e PD-së së drejtuar nga Sali Berisha, gjatë së cilës jo vetëm nuk kemi asnjë përpjekje konkrete për të rimëkëmbur Teatrin Kombëtar, por në vitin 2007 Ministria e Kulturës, atëherë nën drejtimin e PD-së, “harron” të përfshijë në listën e monumenteve të kulturës Teatrin Kombëtar2. Lind natyrshëm pyetja: Nga vjen ky zell i 2 viteve të fundit për ta marrë “nën mbrojtje” Teatrin Kombëtar, pavarësisht se PD-ja kishte jo më pak se 8 vite qeverisje në dispozicionin e saj, për të ndërmarrë një hap të tillë?. E njëjta pyetje vlen edhe për LSI-në dhe kryetarin e saj Ilir Meta, partia që për 8 vjet ka qënë bashkë aksionere në qeveritë e majta e të djathta. Cili ka qënë kontributi konkret i partisë qeverisëse, i LSI-së, në ato 8 vite për rimëkëmbjen e Teatrit Kombëtar? Në vitin 2018, çështja e shembjes së teatrit mori një vrull të ri, pasi në 20 Shtator 2018, qeveria e Ramës miraton një ligj të posaçëm (Ligji 37/201/) për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ky ligj shmang të gjitha procedurat normale të tenderimit. Ai ka gjithashtu një titull tërësisht mashtrues, sepse nuk flet për shembjen e Teatrit Kombëtar por për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Në këtë mënyrë, iu hap rruga shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri sëbashku me një kompleks kullash të larta (sipas supozimeve të deritanishme, që i besojmë jo se kemi prova, por sepse kjo ka qënë mënyra e veprimit të kësaj qeverie).

2 gjëra duhet të nxjerrim në pah qysh nga ajo periudhë, nga deklaratat e socialdemokratit Rama.3

E para, sipas tij, Teatri nuk mundej më që të funksiononte si i tillë, jo më të konsiderohej si një Teatër Kombëtar. Dakord, le ta zëmë se është kështu. Por lind pyetja, cili është shkaku që e ndalonte PS-në në rastin konkret, për të ndërtuar një Teatër të ri dhe modern diku tjetër, duke restauruar njëkohësisht ish monumentin e kulturës, Teatrin Kombëtar? Ne si Blog do të ishim plotësisht dakord me këtë variant, pasi mendojmë se Shqipëria duhet të ketë një Teatër Kombëtar me kushtet bashkëkohore, i cili të ofrojë pjesë cilësore dhe çmime sa më të lira, që t’u mundësojë shtresave popullore me të ardhura të kufizuara të kenë akses në të. Çfarë e pengonte PS-në që të vepronte në këtë mënyrë, nëpërmjet së cilës, të gjithë do të mbeteshin të kënaqur?
E dyta, është shqetësues fakti se socialdemokrati Rama nuk e konsideroka aspak “monument kulture”, godinën, e cila ka kaluar nëpër etapa të ndryshme historike dhe socio-ekonomike. Akoma më shqetësuese është retorika e përdorur prej tij, se këto veprime janë në shërbim të “popullit”. Cilit popull po i shërben sot Edi Rama? Atij populli të cilit i shemb edhe pronën publike edhe pronën private primare (shtëpinë), apo atij ‘populli’ të cilit i jep leje ndërtimit shumëkatëshe në zemër të Tiranës? Përse i duhej të futej “hajdutçe”, në 4.30 të mëngjesit, për ta rrëzuar Teatrin Kombëtar, ndërkohë që ai e bënte këtë për “të mirën e popullit”?!

Ndërkohë jemi në pritje të dëshmores Monika Kryemadhi, në pritje të ethshme të “nxjerrjes së trupit të saj nga gërmadhat e teatrit”, të cilin u zotua ta mbronte pikërisht me trupin dhe jetën e saj. Jemi gjithashtu në pritje të një shpjegimi nga Lulzim Basha, se çfarë e pengoi natën e shembjes së Teatrit Kombëtar të ishte dezhurn brenda Teatrit Kombëtar, për të cilin tani betohet e stërbetohet në shesh dhe në ekrane. 

E megjithatë, pa ju skuqur faqja nga pabesitë e tyre të njëpasnjëshme, hordhia politike PS – PD –LSI, por edhe shumë opinion-bërës ekranesh e gazetash, kryekëput në shërbim të monopoleve të regjimit kapitalist ,që po shkatërron çdo gjë që i del përpara, patën kurajon të përhapin helmin e tyre antikomunist. Kjo është politika e përhershme e tyre, për të vazhduar manipulimin e ndërgjegjes së klasës punëtore dhe shtresave të varfëra popullore, të cilave duan t’ju mbyllin sytë dhe mendjen. Ata dalin dhe thërrasin sot “poshtë komunizmi”, në sheshin e mbushur me njerëz të varfër, të lodhur, të vjedhur, të papunë e të pastrehë.

Presim që të na e shpjegojnë këta partizanët e lirisë dhe demokracisë që nuk e sollën kurrë, se çfarë të përbashkët mund të kenë diktatura e kapitalit, shprehëse dhe shërbyese e interesave të një pjese fare të ngushtë njerëzish, ku ata janë pjesë edhe vetë si pasojë e kapitalit të mbledhur duke rrëmbyer pronën kolektive, me diktaturën e klasës punëtore, me sistemin ekonomiko-shoqëror i cili synon t’i ofrojë shumicës kushte jetese që e bëjnë të rrojë me dinjitetin që i takon një qenieje njerëzore, duke përdorur të gjitha mundësitë që ofron teknologjia bashkëhore. As Bashës, as Ramës, as Ilirit, as Monikës dhe as atyre opinionistëve të pasur, nuk u pëlqen sistemi komunist për një arsye fare të thjeshtë, sepse në atë sistem edhe ata do të detyroheshin të punonin dhe do të ndanin me gjithë të tjerët pasuritë kolektive që kanë grabitur ndër vite.

Duam gjithashtu të rikujtojmë se PD-ja, e cila sot derdh lot krokodili, është partia pararojë e shkatërrimit në masë të të gjithë trashëgimisë socialiste në vendin tonë, të fabrikave, uzinave, por edhe të godinave me vlerë kulturore, estetike dhe historike. Por çuditërisht sot po na kërkon me ngulm “mbrojtjen” e teatrit si një pronë publike.


E kemi theksuar dhe do të vazhdojmë të theksojmë, se sa më shumë thellohen politikat anti-punëtore dhe anti-popullore, në bazë të interesave të caktuara në çdo konjukturë të dhënë, shtohet dhe tërbohet antikomunizmi, helmimi i ndërgjegjes së popullit nëpërmjet kësaj retorike.

Në artikuj të mëparshëm kemi diskutuar mbi socialdemokracinë dhe rolin e saj në ristrukturimet kapitaliste.  E fshehur nën petkun ideologjik të një shoqërie më të drejtë, ajo ka manipuluar klasën punëtore dhe shtresat e varfëra popullore me qëllim nga njëra anë marrjen e pushtetit, dhe nga ana tjetër dhënien e shërbimeve të vyera ndaj monopoleve . Shpesh herë jemi pozicionuar dhe kemi paralajmëruar për partinë kryesore socialdemokrate në vendin tonë, për Partinë Socialiste dhe rolin e saj në mjedisin shqiptar dhe më gjerë. Ajo, pavarësisht se erdhi në pushtet nëpërmjet një retorike tipike socialdemokrate (lexuesit le të kujtojnë retorikën e saj në lidhje me shëndetësinë falas, me arsimin, me drejtësinë kundër “kriminelëvë” fajtorë të Gërdecit dhe 21 Janarit, të cilët – “çuditërisht” – ende nuk janë gjykuar etj.), u duk qysh në hapat e para të qeverisjes së saj, se do të ndërmerrte të gjitha masat e duhura për nevojat e riprodhimit të kapitalit. Nuk duhet harruar se ishte pikërisht kryeministri socialist, drejtues i PS-së që aderon në Partinë e Socialistëve Evropianë, krah për krah me Laburistët e Anglisë, ai që do t’u bënte thirrje sipërmarrësve italianë të investonin në Shqipëri, sepse “ne nuk kemi senat, nuk kemi sindikata, nuk kemi të majtë radikalë dhe nuk kemi komikë në parlament4. Dhe për ta mbuluar reagimin që krijoi kjo deklaratë edhe në vetë opinionin publik në Itali, do të deklaronte disa kohë më pas se “në Shqipëri nuk e ndjejmë mungesën e sindikatave, se Italia ka një tjetër traditë etj.”.

Përmasat e këtij artikulli janë tepër të ngushta për të renditur të gjitha mashtrimet dhe premtimet që nuk u mbajtën, të cilat -objektivisht- nuk janë të mundshme për t’u konkretizuar, brenda terrenit kapitalist.

Klasa punëtore dhe shtresat e gjera popullore në vendin tonë duhet të nxjerrin mësime të vyera nga shkatërrimi i pa-turpshëm, hajdutçe – në mes të natës- i Tetatrit Kombëtar i bërë për më tepër në kontekstin e masave kundër koronavirusit, të cilat siç kemi theksuar dhe më parë, kanë karakter të thellë klasor6 . Ne duhet t’u kthejmë shpinën partive politike borgjeze, të cilët janë përfaqësuesit e borgjezisë dhe secila prej tyre të pjesëve të caktuara të saj, në bazë të konkurrencës që ekziston midis tyre mbi çështje taktike – menaxhimi të barbarisë kapitaliste në bazë të interesave të secilës pjesë të saj që përfaqësojnë – dhe aspak thelbësore, pasi të gjitha përqafojnë dhe promovojnë marrëdhëniet kapitaliste në prodhim dhe të gjitha pasojat që rrjedhin objektivisht prej tyre.
Le t’u hedhim një sy tani qëndrimeve të përfaqësuesve kryesorë të borgjezisë dhe mënyrën se si janë pozicionuar në lidhje me Teatrin Kombëtar, si e kanë propaganduar ata shembjen, ose mos shembjen e tij, socialdemokratët e PS-së dhe LSI-së nga njëra anë dhe “liridashësit” e PD-së nga ana tjetër.

Po e nisim me Erjon Veliajn, mjeshtrin e propagandës, ose siç quhet në kohët tona moderne, PR-it! Ky, ish-aktivist i MJAFT-it, ka vite të tëra eksperiencë mbi mënyrën se si mund të gënjehet populli nëpërmjet lugës bosh të “luftës për të drejtat e tij”. Nuk duhet harruar se ky personazh është i njëjti Erjon, i cili në vitin 2004 protestonte me MJAFT-in për mungesën e ujit në familjet e Tiranës dhe është po ai Kryetar Bashkie, i cili sot justifikon mungesën e ujit në Tiranë me “mungesën e kanalizimeve të ujësjellësit” (duke ia lënë topin e përgjegjësisë qeverive të mëparshme).7 Dhe duke ardhur në rastin e Teatrit, lotët e krokodilit nuk mund të mungonin nga fytyra e Erjonit, i cili deklaronte se “Duam një teatër të ri. [..] Ky ishte vendimi më i vështirë, më i madh në jetën time. Ta kalojmë duke u bashkuar dhe jo duke u përçarë”.8  

Pra, sipas Erjonit, ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar për shkatërrimin e pronës publike dhe pasurimin e kapitalistëve; duhet të jemi të gjithë të bashkuar pavarësisht interesave të kundërta të klasave antagoniste në shoqëri, pra klasës punëtore dhe klasës borgjeze. Dhe në këtë bashkim ne duhet të mbajmë anën e klasës së kapitalistëve, oligarkëve dhe këlyshëve të tyre, jo anën e klasës punëtore, fshatarësisë, popullit të varfër shqiptar që punon për të mbajtur shpirtin gjallë. Kështu, ish-MJAFT-isti Erjon Veliaj, sot ka “harruar” e ka flakur tutje ato “parime” të aktivizmit që deri dje “mbronte” dhe ka “rënë në një shtrat” me oligarkinë vendase. E vërteta është se qysh atëherë, ky personazh ishte i lidhur kokë e këmbë me këtë oligarki, i rritur në prehrin e tyre dhe i mbështetur si një ushtar rezervë i oportunizmit, gati për të hyrë në lojën e politikës, kur konjuktura e dhënë ta “thërriste në detyrë”. Si ky, sot, po përgatiten shumë të tjerë që mbajnë fjalime emocionuese në sheshin e Teatrit. Ndaj duhet vigjilencë që në fillim, të hapim sytë, të vlerësojmë me kritikë të gjitha fytyrat e “pastra” të shoqërisë civile të sotshme, që nesër do të na shfaqen si Erjonët e rinj.


Më tutje kemi qasjen e Edi Ramës, i cili jo vetëm është antikomunist i tërbuar, por përpiqet të na gënjejë sy më sy kur dëgjojmë të thotë se; “Besoj edhe sot që në Shqipëri nuk ka oligarkë. Oligarkë nuk janë ata që janë sipërmarrës të pasur, ata që përmes biznesit realizojnë të ardhura më shumë se tjerët, oligarkët janë ata që influencojnë drejtpërdrejt vendimmarrjet e qeverisë apo parlamentit dhe diktojnë axhenda të caktuara politike në funksion të interesave të tyre”. Sipas tij tij, këta në Shqipëri nuk ekzistojnë në të vërtetë, pasi askush nuk e ka të mundur të ndikojë në vendimet e tij, por ekzistojnë vetëm në mendjen e shpëlarë prej propagandës të popullit tonë. Gjithmonë duke u përpjekur që të bëhet akoma më bindës, rend të na shpjegojë se si qëndron puna me Salillarin, Kastratin, Samir Manen, Vilma Nushin dhe shokë, duke na sqaruar se “përdoret (termi oligark/ shënimi ynë) në mënyrë të gabuar, për të krijuar një ide të gabuar lidhur me një numër të caktuar njerëzish, që nuk janë bërë të pasur nga hiçi, pas ardhjes sonë në qeveri, por e kanë vënë pasurinë në shumë vite dhe me ardhjen tonë në qeveri paguajnë më shumë taksa për shtetin shqiptar”. Pra, sipas socialdemokratit Edi Rama, nuk  është problem që ky grusht njerëzish, të cilët numërohen në njërën dorë, kanë qenë të pasur përpara se PS-ja të vinte në pushtet dhe vazhduan të pasurohen në kurriz të klasës punëtore dhe pronave publike edhe kur PS-ja ishte në pushtet! Kjo sepse këta “paguajnë më shumë taksa”!Flet për ato taksa që nga viti në vit, Edi Rama, si shërbëtori i bindur që është, i ul pikërisht për kastën e oligarkëve, padronë të tij, dhe i rrit për shtresat e tjera të popullsisë. 


Por jo më pak të rrezikshme për popullin janë qëndrimet e përfaqësuesve të tjerë politikë! Le t’i marrim me rradhë dhe përfaqësuesit kryesorë të opozitës.


Së pari, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Deklaratat e tij janë të shumta gjatë këtyre ditëve, por këtu do citojmë një pjesë, e cila ka kohë që propagandohet prej opozitës së bashkuar dhe është një citim, të cilin nëse do pyesnim partitë e tjera borgjeze, LSI-në, ekstremistët e djathtë të OMONIA – PDIU-së, të gjithë pa përjashtim do të binin dakord. Sipas Bashës; “[…]Por, këto fakte nuk janë thelbi, thelbi është që sa kohë të kemi një njeri që dhunon Kushtetutën, ligjet, vjedh paratë e shqiptarëve, këto do të vazhdojnë. Sot është Teatri, dje ishte Astiri, nesër do të jetë shtëpia juaj, televizioni juaj. Ky është një i çmendur. Është e keqja e Teatrit, e keqja e ekonomisë, e keqja e Shqipërisë.  Ndërsa Veliaj është kryebetonieri i mafīas në Tiranë. Kjo në fund të fundit është një vjedhje, një akt korruptiv, një shkelje e ligjit. Rama është një fatkeqësi kombëtare, që do të rrëzohet me votën e qytetarëve”.10

Blogu ynë, Zëri Komunist i Shqipërisë, është i mendimit se kjo lloj retorike, e cila është duke u përdorur shpesh, nga të gjitha partitë politike borgjeze të pas-viteve ’90 në Shqipëri, kundrejt “kundërshtarëve” të tyre politikë, nuk është aspak e rastësishme. Në dukje, duket një fjalim plot revoltë dhe mllef kundrejt politikave që ka ndjekur qeverisja e PS-së gjatë 2 mandateve të saj, prej vitit 2013 deri më sot. Por nëse do të zbërthejmë pak atë që thotë Basha, nëse do të ndjekim logjikën e tij pak më tutje, nëse do ta çojmë mendimin e tij deri në fund, do arrijmë të kuptojmë se si e shfajëson ai armikun e vërtetë të klasës punëtore dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, që është gjithmonë dhe vetëm kapitalizmi, i cili sot ndodhet në fazën e tij të pakthyeshme tëkalbëzimit, në sundimin e monopolove. E bën këtë shfajësim posaçërisht duke ja hedhur fajin thjeshtë një individi. Dhe më konkretisht: Fillimisht, akuzon Ramën se shkel Kushtetutën, ligjet, vjedh paratë e shqiptarëve. Pa dyshim, PS-ja me Ramën në udhëheqje është duke i kryer këto shkelje dhe vjedhje, por me sa duket Basha harron se çfarë bënte PD-ja ku ai bënte pjesë në qeverinë Berisha gjatë viteve 2005-2013. Harron çfarë bënte edhe partnerja e përhershme e tij, LSI-ja gjatë po këtyre viteve.

Kjo tregon se vetë kapitalizmi, në natyrën e tij, është “hajdut” dhe grabitqar, pasi ai ka si vlerë themelore kapitalin, akumulimin dhe riprodhimin e tij, i cili buron nga puna e papaguar e punëtorëve, nga mbivlera që nxirret në procesin e prodhimit! Kapitali ka tendencën të akumulohet në një numër, gjithnjë e më të vogël, monopolesh, tendencë që sot po shfaqet gjithmonë e më qartë duke shkatërruar çdo pengesë që i del përpara: prona publike, prona të vogla private, sistemet e sigurimeve shoqërore apo shëndetësore, spitalet e shkollat publike etj. Duke akuzuar Ramën se në këtë çast është duke kryer një vjedhje, Basha lë enkas në harresë se po kjo vjedhje ka 30 vite që po kryhet në Shqipëri, për shkak të marrëdhënieve kapitaliste në prodhim! Më tej, ai thotë se sot është Teatri, dje Astiri, nesër do jetë shtëpia e popullit. Përsëri, ky proces i atribuohet një të “çmenduri”, duke shfajësuar sistemin kapitalist, i cili sjell si pasoja objektive krizat ekonomike (të cilat janë detyruar t’i pranojnë edhe ekonomistët borgjezë si një pjesë përbërëse, të paevitueshme të kapitalizmit,), rrënimin dhe varfërimin e një numri më të madh njërëzish. Është kjo shumica që e pëson, e cila detyrohet të paguajë faturat e krizave të njëpasnjëshme të kapitalizmit, ose të ristrukturimeve kapitaliste, të “zhvillimit” kapitalist, i cili shoqërohet me përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes së tyre materiale, në krahasim me mundësitë që ofron teknologjia sot për të kënaqur nevojat popullore. Pra, kur flet për “shkelje të ligjit”, për “akte korruptive” (jo se nuk janë), nuk duhet harruar se bëhet fjalë për një Kushtetutë borgjeze, e cila mbron interesat e klasës sunduese, kapitaliste dhe Basha, ndërkohë që qan për “Teatrin”, në të vërtetë është duke luajtur një shfaqje teatrale të nivelit të parë, pasi fsheh arsyen e “mllefit” të partisë së tij, që është e thjeshtë: pamundësia për të marrë pjesë në nivelin e dëshirueshëm tek pazaret që do të zhvillohen në lidhje me ndërtimin e teatrit të ri. Nuk është e rastësishme që “opozita e bashkuar” duke mbjellë iluzionet e parlamentarizmit, se nëpërmjet “votës” do të vijë “ndryshimi”, ia hedh të gjitha fajet e Ramës, duke identifikuar problemet objektive që lindin nga marrëdhëniet kapitaliste në prodhim, si problemet e një njeriu, një partie, një lloji menaxhimi të të barbarisë kapitaliste në një kontekst  të caktuar. Pra, sipas Bashës, me zhdukjen e Ramës do të zhduken edhe të gjitha të këqijat nga të cilat, jo edhe aq çuditërisht, Shqipëria nuk po del dot prej 30 vitesh. Në të vërtetë, me zhdukjen e Ramës, do të pasojë një tjetër menaxhues kapitalist, i cili mund të ketë ndryshime karakteriale, por nuk do të ketë ndryshime në menaxhimin e ekonomisë. Kjo ekonomi do të mbetetet kapitaliste, pra do të vazhdojë të jetë ekonomia e pakicës në dëm të shumicës.


Pak a shumë, në të njëjtat ujëra noton edhe partia e tretë (për nga fuqia elektorale), LSI-ja socialdemokrate, e cila duke u shprehur nëpërmjet Monika Kryemadhit, flet për “urrejtjen që ka Edi Rama ndaj artit dhe ndaj shqiptarëve”.11


PS-ja akuzon PD-në, LSI-në dhe qeverisjet e tyre për prapambetjen e Shqipërisë, ua faturon menaxhimit të tyre, ndërsa këto nga ana e tyre akuzojnë menaxhimin e PS-së. Në këtë mënyrë, populli në të gjitha rastet mbetet i bllokuar brenda dilemave të rreme, në lidhje me menaxhimin e kapitalizmit. Le të shënojmë gjithashtu se shpesh është dëgjuar nga analistë, opinionistë, njerëz të ndryshëm nga fusha e shoqërisë civile, apo socialdemokratë të shpallur, të cilët gjoja “guxojnë” të shikojnë dhe gjykojnë, realitetin ashtu “siç është objektivisht”. Këta akuzojnë kapitalizmin grabitqar12, barbar, neoliberal që po ia merr frymën popullit shqiptar, duke bërë aludime në këtë mënyrë, rreth një “kapitalizmi njerëzor, paqësor”, rreth “shtetit të së drejtës”, shtetit ligjor, ku ligjet “aplikohen njësoj për të gjithë” dhe ku sundon drejtësia. Nuk ka pikën e rëndësisë nëse këto deklarata bëhen me dashamirësi , për shkak të mungesës së njohurive rreth ekonomisë politike dhe sistemit ekzistues kapitalist, apo me dashakeqësi, duke u përpjekur për të kultivuar enkas iluzione tek populli, mbi mundësinë e menaxhimit “pro-popullor” të kapitalizmit. Ajo që ka rëndësi është se, objektivisht, ky mendim, të ngjall iluzionin e gabuar se ka kapitalistë të mirë dhe kapitalistë të këqinj. Ushqehet ideja se në Shqipëri, paskemi vetëm kapitalistët e këqinj të paaftë të prodhojnë gjëra të dobishme apo shkpikje, ndryshe nga vendet e tjera të bekuara me kapitalistët e mirë. Ç’është e vërteta edhe faktet konkrete të përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes së punëtorëve dhe “shtresës së mesme” në të gjithë botën, sot tregojnë, se nuk ka kapitalistë të mirë apo kapitalistë të këqinj. Ka vetëm kapitalistë! Dhe të jesh kapitalist do të thotë të shtosh kapitalin tënd, objektivisht, me punën e papaguar të punëtorëve të tu. Nëse kjo u duket e mirë disa socialdemokratëve, një shfrytëzim i butë, ky është një problem shumë i thellë i tyre!

Së fundmi, përveçse duhet flakur prej popullit çdo mendim i tillë rreth kapitalizmit, që ushqehet prej qarqeve nga më të ndryshme të borgjezisë, prej liberalëve/ neoliberalëve/konservatorëve, si dhe prej anës tjetër të së njëtës monedhë, prej socialdemokratëve/oportunistëve, duhet shqetësuar dhe duhet flakur prej tij me përbuzjen më të thellë edhe antikomunizmi i tërbuar.

Antikomunizmi, i cili ushqehet dhe fryhet nga këto qarqe, përdoret për të legjitimituar skllavërinë kapitaliste, si dhe për të errësuar çështjet e vërteta, problemet që shqetësojnë popullsinë dhe që janë pjellë e këtij sistemi shfrytëzues, të lidhura pazgjidhshmërisht me të. “Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?” do të deklaronte Ilir Meta13, i cili të gjitha këto vite që klasa punëtore po shtypet nën diktaturën e kapitalit, u kujtua sot, “papritur”, se qenkemi në diktaturë (të Ramës sipas tij pa dyshim, jo të kapitalit). Dhe me një ndryshim qeverisjeje, që do t’i leverdiste pjesës së monopoleve që ky dhe “opozita e bashkuar” përfaqësojnë, gjithçka do të zgjidhet si me magji!


Deklaratat helmuese që po lëshohen dhe janë lëshuar dhe këto ditë, ku kryetari i FRPD-së e krahason Shqipërinë “e Ramës” me Korenë e Veriut14, për shkak të dhunës që i ushtroi policia, vegla e dhunës së borgjezisë, por “harron” të na sqarojë sa “demokratike” është goditja e militantëve të PD-së kundrejt njerëzve që demokratikisht brohoritën kundër pjesëmarrjës së Bashës në tubim! Por, dihet se gjithçka që nuk shkon “sipas planit” i faturohet “diktaturës komuniste”.

Duhen përbuzur dhe duhen hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga klasa punëtore dhe populli shqiptar këto qëndrime!

Krahasimi midis shembjes së një monumenti kulturor, për shkak të interesave të monopoleve që duan të marrin në dorë ndërtimin e një teatri të ri, me luftën e klasës punëtore, të  udhëhequr nga komunistët, ndaj krerëve fetarë gjatë 1967-ës, me mbylljen e kulteve fetare dhe shndërrimit të rolit të këtyre institucioneve në institucione me role të tjera shoqërore, përveçse është qartësisht tendencioz, është gjithashtu krejtësisht anti-historik dhe hipokrit, pasi kontekstet historike në të cilat kanë ndodhur këto gjëra nuk merren në konsideratë nga ideologët borgjezë, a thua se janë të parëndësishëm në shqyrtimin e ngjarjeve.

Rasti i shembjes së Teatrit Kombëtar, nuk është as krim i parë, si dhe pa dyshim as i fundit i borgjezisë, kundrejt popullit shqiptar! Sulmi i kapitalit ka nisur qysh pas përmbysjeve kundërrrevolucionare në vendin tonë dhe në kampin socialist gjatë viteve ’90. Mbyllja e fabrikave, uzinave, lënia e tyre në harresë dhe në mëshirën e fatit, shitja dhe shkatërrimi i tyre në masë, janë vetëm një shembull i këtij procesi që ka 30 vite që ka nisur. PS-ja socialdemokrate, e cila në mënyrë aspak të habitshme, aplikon politika “neo-liberale” (nuk është as hera e parë dhe sigurisht as hera e fundit, pasi socialdemokracia është objektivisht një prej përfaqësuesve të klasës borgjeze), PD-ja, LSI-ja, si dhe partitë e tjera më të vogla borgjeze, luajnë rolin e tyre në ristrukturimet kapitaliste, në varësi të raportit të forcave të pjesëve të borgjezisë dhe monopoleve që ato përfaqësojnë. Populli nuk ka për të fituar asgjë, përkundrazi vetëm ka për të thelluar nivelin e pabarazisë dhe shtypjes që i ushtrojnë monopolet, nëse mbetet në bisht të këtyre partive. Shembja e Teatri Kombëtar ishte pasoja e ristrukturimeve kapitaliste në këtë çast të dhënë dhe këtë gjë duhej ta kishte menduar mirë edhe “Aleanca për Teatrin”, e cila zgjodhi të linte fatet e Teatrit në duart e “udhëheqësit të opozitës”, i cili qenka penduar për marrëveshjet strategjike që ka pasur me Ramën në të kaluarën!15 Vetëm forcimi i organizimit komunist rreth një Partie Marksiste-Leniniste, e cila do të përpunojë një strategji revolucionare bashkëkohore, e cila do të mundet që të organizojë rezistencën punëtore dhe aleancën shoqërore me shtresat e tjera të varfëra popullore, me fshatarësinë e varfër, me të vetë-punësuarit, intelektualët përparimtarë, rininë, në një front antimonopolist-antikapitalist, me synimin shoqërinë e re, të çliruar nga prangat e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, vetëm në këtë mënyrë lufta dhe rezistenca e popullit do të ketë sadopak fryte edhe brenda këtij sistemi barbar. Shembja e Teatrit dhe dhuna që pasoi gjatë mobilizimeve dhe tubimeve, është një mësim shumë i hidhur për klasën punëtore dhe masat punonjëse, por duhet nxjerrë një konkluzion prej tij.

-Zëri Komunist i Shqipërisë

Shënime:

1) https://exit.al/rama-nuk-kishte-asgje-per-tu-ruajtur-tek-teatri-kombetar/

2) http://www.panorama.com.al/teatri-kombetar-zbardhet-loja-me-statusin-e-godines-prej-vitit-2000-2020-te-majte-dhe-te-djathte-nuk-e-mbrojten-pse-u-hoq-nga-lista-e-monumenteve/

3) https://shqiptarja.com/lajm/ligji-per-teatrin-nis-seanca-plenare-ne-kuvend-opozita-bojkoton

4) https://www.botasot.info/shqiperia/414235/rama-italianeve-investoni-ne-shqiperi-se-ketu-nuk-ka-sindikata/

5) https://www.youtube.com/watch?v=65WGa3zksaY

6) https://zerikomunist.home.blog/2020/03/23/pandemia-e-koronavirusit-ka-karakter-te-thelle-klasor/

7) https://dosja.al/lajmi-i-fundit-shembi-teatrin-naten-rishfaqet-erion-veliaj-me-ze-te-dridhur-flet-ata-kunder-ishin-pakice/

8) https://dosja.al/lajmi-i-fundit-shembi-teatrin-naten-rishfaqet-erion-veliaj-me-ze-te-dridhur-flet-ata-kunder-ishin-pakice/

9) https://exit.al/rama-mbron-oligarket-ne-shqiperi-nuk-ka-oligarke/

10) https://www.tpz.al/2020/05/17/basha-shkon-tek-teatri-rama-ben-loje-nervash-me-njerezit-eshte-nje-i-cmendur-nje-fatkeqesi-kombetare/

11) https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/videos/337101103930958/?xts[0]=68.ARCzjHFMeNjNH1YbXlGMCbzr2ps1l7tVxbtdoD0UzB35GzWsE_UJALmTwinueGc4LSUiZue095PZg7JTABTi7Fp6BZ9hporGAl6dH1wccbSXycOXXh_JIDqEOU6N2bQcsg4j79wdQNNOoqSn-VsTEo3JGvgvcQDTT6bSQaDPEEhezDFVvfAYjUuMYvZqb7bvZIrNWsKnVvmjt0mvOPXOVLDKDonYiU5El2DgjZf6m03Gj9azg9PqWBaey4IX7jrDmqrAzkD5jROa5iounZmYTBtuQBFQG4wT2H3pIhXwyZTardGtMrglTUgs9-6MPGx9DU7BTLgsqe6KKBEJMR6pi3c8B7iNN-D0&tn=-R

12) Ky është rasti më i freskët, i shpërthimit kundër “kapitalizmit grabitqar” (Lutemi të na gjejnë kapitalizmin jo-grabitqar) brenda parlamentit.
https://abcnews.al/bushati-shperthen-ndaj-socialisteve-kontrata-e-koncesionarit-te-ri-pa-gare-po-shkojme-ne-kapitalizem-grabitqar/

13) https://lapsi.al/2020/05/19/shembja-e-teatrit-tjeter-reagim-i-ashper-nga-meta-maska-e-tiranise-ra-perpara-te-gjithe-shqiptareve-sdo-te-amnistohet-kurre/

14) https://abcnews.al/belind-kellici-rrefen-dhunen-e-policeve-te-tk-me-kapen-per-fyti-kam-pamjet-filmike/

15) https://lexo.com.al/2020/05/17/basha-perkujton-17-majin-u-ula-me-kete-njeri-por-jam-penduar-se-me-genjeu-nga-sot-protesta-masive/










Leave a comment